Izraeli sulme në Gaza, dhjetëra të vdekur, mes tyre gra dhe fëmijë

Nga A2 CNN
27 Tetor 2024, 15:23 | Bota

Së paku 36 persona humbën jetën si pasojë e sulmeve të Izraelit në Veri të Rripit të Gazës të dielën.

Të dhënat u publikuan nga autoritetet shëndetësore palestinezë ndërsa ushtria izraelite tha se kishte "eliminuar mbi 40 terroristë" në zonën e Jabalia në 24 orët e fundit, kishte çmontuar infrastrukturën ndërsa kishte gjetur numër të lartë pajisjesh ushtarake, shkruan A2.

Ndërkohë, numri i të vdekurve nga një sulm ajror izraelit të shtunën vonë në një lagje banimi në qytetin Beit Lahiya u rrit në 40, tha agjencia zyrtare palestineze e lajmeve.

Në lidhje me këtë ngjarje Ushtria izraelite tha se kishte kryer "një sulm të saktë duke përdorur municione ndaj një grupi terroristësh”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës në tre javët e fundit si pasojë e sulmeve në veri të enklavës kanë mbetur të vdekur rreth 800 njerëz, raporton A2.

Zyrtarët palestinezë thanë po ashtu se ofensiva e vazhdueshme ajrore dhe tokësore e Izraelit ka dëmtuar sistemin e kujdesit shëndetësor në Gazën veriore dhe po bllokon ekipet mjekësore që të arrijnë në vendet e bombarduara.

Shërbimi i Emergjencave Civile njoftoi dy ditë më parë se operacionet e tyre u ndërprenë pasi Izraeli ndaloi dhe plagosi disa nga pjesëtarë të personelit të tyre ndërsa shkatërruan kamionin që lëviznin nëpër zonat ku kishte nevoja të mëdha për ndihmë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos