Izraeli i xhindosur me Hamas që nuk gjen pengjet, Netanyahu kërcënon: Lufta nuk ka mbaruar, duam fitore në Gaza

Nga Xhevahir Qardaku
16 Tetor 2025, 15:25 | Bota

Izraeli shpreh zemërim të madh me Hamasin, ndërsa paqja në Gaza varet nga një fije e hollë. Grupimi palestinez thotë se ka dorëzuar të gjitha mbetjet e pengjeve që ka mundur të gjejë, duke shtuar se nevojiten “përpjekje të konsiderueshme dhe pajisje speciale” për të rikuperuar trupat e robërve të vdekur në Gaza.

Megjithatë, Izraeli beson se Hamasi i di vendndodhjet e disa prej pengjeve të ndjera që pretendon se janë të zhdukur, shkruan CNN duke cituar dy burime pranë kësaj çështjeje. Deri më tani, Hamasi ka kthyer trupat e nëntë nga 28 pengjet e vdekura. Përballë kësaj ngecjeje të zbatimit të marrëveshjes së paqes, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, kërcënon, ndërsa përmend se lufta nuk ka mbaruar.

“Bijtë dhe bijat tona të mrekullueshme që dhanë jetën në betejë, ata janë gurët e themelit të ringjalljes së Izraelit. Hebrenj, Druzë, të krishterë, myslimanë, beduinë, çerkez. Ata punuan krah për krah për të arritur të gjitha qëllimet e luftës. Dhe ne do t'i arrijmë të gjitha qëllimet e luftës. Kushdo që ngre dorën mbi ne e di tashmë se do të paguajë një çmim shumë të lartë për agresionin e tij. Ne jemi të vendosur të përfundojmë fitoren që do të ndikojë në jetën tonë për shumë vite”, tha Netanyahu.

Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura po i bën thirrje qeverisë izraelite të ndalojë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, nëse trupat pengjeve të vdekura nuk kthehen. Zyrtarët amerikanë po e minimizojnë kërcënimin ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, duke u thënë gazetarëve në një telefonatë se besojnë që Hamasi do ta respektojë marrëveshjen, shkruan A2 CNN.

Izraeli thotë se përgatitjet për të rihapur pikën kufitare të rëndësishme në Rafah janë “në vazhdim”, por ndihma humanitare nuk do të kalojë. Organizatat humanitare, përfshirë OKB-në, po i kërkojnë Izraelit të hapë më shumë kalime kufitare dhe të lejojë një rritje të ndihmave. Mediat palestineze raportojnë se një burrë është vrarë në një sulm me dron në juglindje të Khan Younis. IDF thotë se nuk ka pasur sulme atje gjatë të enjtes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos