Izraeli luftë me misionin e OKB në Liban, Netanyahu flet për veto. Kush do ta ruajë paqen në Gaza?

Nga Xhevahir Qardaku
27 Tetor 2025, 13:30 | Bota

Pa u mbyllur ende njëri front, ushtria e Izraelit po hap një tjetër. Një dron i IDF-së hodhi një granatë mbi një patrullë të misionit të Kombeve të Bashkuara UNIFIL pranë vendbanimit Kfar Kila, në Libanin jugor.

Asnjë ushtar nuk u lëndua, tha forca paqeruajtëse në një deklaratë, shkruan A2.

“Pak çaste më vonë, një tank izraelit qëlloi mbi paqeruajtësit. Për fat të mirë, nuk pati të lënduar ose dëme në personelin ose pajisjet e UNIFIL”, thuhej në deklaratë. Ushtria izraelite akuzoi paqeruajtësit e OKB-së në Libanin jugor se kanë rrëzuar një dron një ditë më parë gjatë një misioni të inteligjencës.

“Një hetim fillestar sugjeron se forcat e UNIFIL-it të vendosura aty pranë qëlluan qëllimisht dronin dhe e rrëzuan atë. Aktiviteti i dronit nuk përbënte kërcënim për forcat e UNIFIL-it”, theksoi një zëdhënës i ushtrisë së shtetit hebre.

Pavarësisht armëpushimit në fuqi, Izraeli ka sulmuar me dronë edhe në Gaza. Sipas raportimeve, dy palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në lindje të Khan Junis. Sulmi ka ndodhur kur banorët po inspektonin shtëpitë e tyre të dëmtuara nga bombardimet e ditëve të kaluara. Tashmë diskutimi ka kaluar nga armëpushimi tek forca ndërkombëtare që do të ruajë paqen në Gaza.

“Ne kontrollojmë sigurinë tonë dhe e kemi bërë të qartë se në lidhje me forcat ndërkombëtare, Izraeli do të përcaktojë se cilat forca janë të papranueshme për ne, dhe kështu veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë. Kjo, sigurisht, pranohet edhe nga Shtetet e Bashkuara, siç e bënë të qartë përfaqësuesit e saj më të lartë ditët e fundit. Izraeli është një shtet i pavarur, ne do ta mbrojmë veten vetë dhe do të vazhdojmë të kontrollojmë fatin tonë”, tha Netanyahu.

Ndërkohë, sa i përket pengjeve, që kanë ndërruar jetë në Gaza dhe nuk janë gjetur ende, ekipe nga Egjipti dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar janë lejuar që të kryejnë operacione kërkimore në Gaza. Këtë e konfirmoi vetë qeveria e Izraelit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos