
Ukraina dhe aleatët e saj kanë rënë dakord të punojnë së bashku gjatë 10 ditëve të ardhshme për të zhvilluar një plan armëpushimi. Kështu deklaroi për Axios, Presidenti Volodymyr Zelensky, pak pasi Donald Trump propozoi një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit.
"Një plan armëpushimi. Ne vendosëm të punojmë për të gjatë javës ose 10 ditëve të ardhshme", tha presidenti ukrainas. Volodymyr Zelensky shtoi se Ukraina që synon të bëjë presion mbi Rusinë për bisedime po i kërkon qeverisë amerikane jo vetëm raketa Tomahawk, por edhe sisteme armësh të ngjashme që nuk kërkojnë trajnim afatgjatë.
Lidhur me sanksionet, presidenti ukrainas tha se ato do të kishin një ndikim të rëndësishëm në Rusi, por vendi i tij ende ka nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi për të detyruar Vladimir Putinin të ecë përpara me bisedimet e paqes.
Zelensky i përshkroi dy javët e fundit si "të stuhishme", pasi takimi i tij i parë me Trump më 17 tetor, gjatë të cilit presidenti amerikan refuzoi të miratonte vendosjen e raketave Tomahawk, u shndërrua në një përmbysje të mprehtë diplomatike.
Trump më pas anuloi samitin me Putinin dhe njoftoi sanksionet e para kundër Rusisë të mandatit të tij të dytë. "Presidenti Trump është i shqetësuar për përshkallëzimin. Por mendoj se nëse nuk ka negociata, përshkallëzimi do të vijë gjithsesi. Nëse Putini nuk ndalet, diçka duhet ta ndalojë atë. Sanksionet janë një armë e tillë, por ne gjithashtu kemi nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi", tha Zelensky.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë përfshiu diskutime të nxehta rreth kushteve të një marrëveshjeje të mundshme paqeje dhe dëshirës së Ukrainës për Tomahawk.
Zelensky e quajti atë "konstruktiv", megjithëse "të vështirë". "Bisedat e mia me Presidentin Trump ishin për të ushtruar presion mbi Rusinë. Unë besoj se ai donte të ushtronte presion mbi ta, por pa mbyllur dritaren për diplomaci", theksoi ai. (A2 Televizion)
