Izraeli nuk do të ftohet në ceremoninë e sivjetme të paqes që përkujton bombardimin atomik të Nagasakit të vitit 1945. Vendimi bie ndesh me atë të Hiroshimës, ku autoritetet thanë, muajin e kaluar, se nuk kishin ndërmend të tërhiqnin ftesën e Izraelit për ngjarjen e tyre të paqes, pavarësisht thirrjeve që vendi të mënjanohej.
Të dyja qytetet kanë qenë nën presionin e aktivistëve dhe grupeve të mbijetuara nga bomba për të përjashtuar Izraelin për shkak të bombardimeve të Gazës, ku dhjetëra mijëra palestinezë janë vrarë që kur Izraeli filloi të sulmonte grupin militant Hamas pas sulmit të 7 tetorit.
Kryetari i bashkisë së Nagasakit, Shiro Suzuki, tha se përjashtimi i Izraelit ishte për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe nuk ishte një vendim politik. “Dëshiroj të theksoj se ky vendim nuk u bazua në konsiderata politike, por në dëshirën tonë për të mbajtur ceremoninë dhe për të përkujtuar viktimat e bombardimeve atomike në një atmosferë paqësore, solemne, si dhe për të siguruar që ceremonia të shkojë pa problem”, tha ai, duke e cilësuar vendimin të vështirë.
Në një postim në X, ambasadori i Izraelit në Japoni, Gilad Cohen, e përshkroi vendimin si "për keqardhje", duke shtuar se i dërgon një mesazh të gabuar botës. “Izraeli po ushtron të drejtën e tij të plotë dhe detyrimin moral për të mbrojtur veten dhe qytetarët e tij dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Nuk ka asnjë krahasim mes Izraelit, i cili po sulmohet brutalisht nga organizatat terroriste dhe çdo konflikt tjetër, çdo përpjekje për ta paraqitur atë ndryshe shtrembëron realitetin”, tha ai.
Ceremonia në Nagasaki do të zhvillohet në Parkun e Paqes të qytetit më 9 gusht, duke shënuar ditën kur ushtria amerikane hodhi bombën e dytë atomike në Japoni, tri ditë pas asaj që goditi Hiroshimën.
(A2 Televizion)