Izraeli sulmon Iranin, vritet komandanti i gardës revolucionare, Teherani premton hakmarrje

Nga Erjon Dervishi
13 Qershor 2025, 10:49 | Bota

Ashtu edhe siç e kishin paralajmëruar, ushtria izraelite nisi një sulm me raketa kundër objektivave strategjikë të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë. Sipas ushtrisë izraelite ky është fillimi i një operacioni të zgjatur për të parandaluar Teheranin të ndërtojë një armë atomike.

Si kundërpërgjigje Irani sulmoli me rreth 100 dronë drejt territorit izraelit në shenjë hakmarrjeje. Media dhe dëshmitarët iranianë raportuan shpërthime, përfshirë në objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, ndërsa Izraeli shpalli gjendje të jashtëzakonshme në pritje të sulmeve hakmarrëse me raketa dhe dronë.

Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit tha se komandanti i saj kryesor, Hossein Salami, u vra dhe media shtetërore raportoi se selia e njësisë në Teheran ishte goditur. Disa fëmijë ishin vrarë në një sulm në një zonë banimi në kryeqytet, tha ai. Irani konfirmon gjithashtu edhe vdekjen e Shefit të Shtabit të ushtrisë Gjeneral Major Mohammed Bagheri.

"Jemi në një moment vendimtar në historinë e Izraelit. Para disa çastesh, Izraeli nisi Operacionin "Luani në Ngritje", një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj mbijetesës së Izraelit. Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa të duhen për të hequr këtë kërcënim”, tha kryeministri Netanjahu pas sulmit.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha në një deklaratë se Izraeli kishte "lëshuar dorën e tij të ligë dhe të përgjakshme" në një krim kundër Iranit dhe se do të merrte "një fat të hidhur për veten".

"Në emër të Allahut, Më të Mirësjellshmit, Më të Mëshirshmit, kombit të madh të Iranit! Regjimi sionist hapi dorën e tij të ndyrë dhe të përgjakshme ndaj një krimi në vendin tonë të dashur këtë mëngjes dhe zbuloi natyrën e tij të ligë duke goditur qendrat e banimit më shumë se kurrë më parë. Regjimi duhet të presë ndëshkim të rëndë. Dora e fuqishme e forcave të armatosura të Republikës Islamike nuk do ta braktisë atë, me vullnetin e Zotit. Disa komandantë dhe shkencëtarë u martirizuan në sulmet e armikut. Pasardhësit dhe kolegët e tyre do të rifillojnë menjëherë detyrat e tyre, me vullnetin e Zotit. Me këtë krim, regjimi sionist përgatiti një fat të hidhur dhe të dhimbshëm për veten e tij dhe patjetër do ta marrë atë", u shpreh Khamenei.

Izraelitët po dynden në supermarkete për tu furnizuar me ushqime në përgatitje për një sulm të pritur nga Irani në përgjigje të sulmeve izraelite, raporton The Times of Israel.

Zyrtarët izraelitë thanë se operacioni mund të zgjasë disa ditë.  

Nga ana e tij, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë për Fox News se ai dinte paraprakisht për planet e Izraelit për të sulmuar Iranin, por përsëriti se SHBA-të nuk ishin të përfshira. Uashingtoni, shtoi ai, kishte njoftuar të paktën një aleat kyç në Lindjen e Mesme se sulmi do të ndodhte.

Administrata amerikane po monitoron çdo hakmarrje dhe Komanda Qendrore e SHBA-së, është në gatishmëri të lartë. Trump theksoi se SHBA-të janë gati të mbrojnë veten dhe Izraelin në rast të një hakmarrjeje nga Irani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos