Në Rripin e Gazës nuk ka qetësi. Zyrtarët shëndetësorë të Hamasit thonë se të paktën 110 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në kampin Jabalia në veri të enklavës. Nuk ka pasur asnjë koment specifik nga qeveria e shteti hebre, që këmbëngul se po shënjestron atë që e quan infrastrukturë terroriste.
Jabalia, pjesë e të cilit është një kamp refugjatësh prej kohësh, është në veri të Gazës, një zonë ku, që nga ditët e para të luftës, Izraeli ka paralajmëruar njerëzit të largohen.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, takon zyrtarët izraelitë, ndërsa Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania shtojnë thirrjet globale për një armëpushim. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, SHBA thuhet se po kërkon të zbusë fjalët e një projekt-rezolute të re që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Ushtria izraelite njoftoi se kishte zbuluar tunelin më të madh të Hamas në Rripin e Gazës në Erez. Mendohet se ai ishte ndërtuar për të transportuar sasi të mëdha municionesh për militantët në Gaza, drejt e në kufi.
Mediat raportojnë se dyshohet që të bëhet fjalë për një nga tunelet e përdorura nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit. Tuneli në fjalë është ndërtuar në një thellësi prej 50 metrash nëntokë. Ai është i gjatë rreth 4 kilometra dhe 3 metra i lartë. Galeria në fjalë dyshohet se është përdorur edhe për të kaluar dhe mbajtur pengjet e rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit.
Sakaq, burimet egjiptiane të sigurisë thonë se Izraeli dhe Hamasi janë të hapur për një armëpushim të ri, por mes palëve ka mosmarrëveshje për disa detaje. Për Gjysmëhënën e Kuqe, ndihmat që kanë hyrë deri tani në Rripin e Gazës nuk janë të mjaftueshme për të plotësuar as 10% të nevojave të banorëve. (A2 Televizion)