Izraeli refuzoi planin e paqes për Gazën, por a e ka thënë “Bibi” fjalën e fundit?

Nga A2 CNN
10 Gusht 2026, 17:19 | Bota

Izraeli refuzoi planin e paqes për Gazën, por a e ka thënë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund ta ketë kundërshtuar kategorikisht planin e ri të “Bordit të Paqes” për çarmatosjen e Hamasit në Gaza, por kjo nuk ka gjasa të jetë fjala e fundit.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende një koment zyrtar. Megjithatë, raportohet se administrata amerikane “nuk është e shqetësuar” nga deklarata e Netanyahu-t dhe e sheh atë si retorikë elektorale, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të tensionuara.

Ne i kuptojmë nevojat politike të Bibi-t”, citon gazetari izraelit Barak Ravid një zyrtar të lartë amerikan, duke përdorur nofkën me të cilën i referohen liderit izraelit. “Nuk kemi problem me këtë, për sa kohë ai vazhdon të bëjë atë që i kërkojmë, veçanërisht sa i përket frenimit të sulmeve në Gaza.”

Ditët e fundit është vërejtur një pezullim i dukshëm i sulmeve izraelite në Gaza, një nga kërkesat e Hamasit kur pranoi planin 15-pikësh të mbështetur nga SHBA-të.

Ekziston gjithashtu një tjetër tregues se Izraeli është i gatshëm të avancojë planin e paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, duke u përgatitur për dislokimin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF). Kjo forcë përbëhet nga trupa ndërkombëtare dhe plani parashikon që ato të bashkëpunojnë me një forcë të re policore palestineze për të garantuar sigurinë në territor.

Sipas radios publike izraelite, Kan News, ndërtimi i bazës së parë të ISF-së pritet të nisë ende në fund të këtij muaji, mes rrënojave të Rafahut, në jug të Gazës. Kjo do të mundësonte që më në fund të niste rindërtimi.

Në korrik, pas muajsh negociatash delikate, Trump njoftoi një "arritje të madhe" në zbatimin e planit të tij për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Duke shkruar në platformën e tij “Social Truth”, Trump tha se Bordi i Paqes kishte arritur një marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze në territor.

Marrëveshja është menduar të zbatohet në faza, me të gjitha armët e çmontuara dhe të ruajtura nga një administratë e re palestineze në Gaza, e cila raporton te Bordi i Paqes  dhe forcat izraelite që tërhiqen nga më shumë se 60% e Gazës që ata aktualisht kontrollojnë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos