Një debat i ri është hapur mes FSHF-së dhe Presidencës për pajisjen me shtetësi shqiptare të disa talenteve të rinj që synohen nga kombëtaret e moshave.
Drejtori i Skautimit në FSHF, Tefik Osmani, i është drejtuar publikisht Presidentit Bajram Begaj, duke kërkuar shpjegime për vonesat në procedurat e rreth 10 lojtarëve me potencial për të veshur fanellën kuqezi.
Sipas Osmanit, dokumentacioni është dorëzuar, por procedurat kanë mbetur në pritje për shkak të ndryshimeve ligjore dhe nevojës për një VKM.
Osmani e ngre edhe më tej tonin duke sjellë në vëmendje rastin e Albion Rrahmanit, futbollistit të Kosovës, duke pyetur se si procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës mund të përfundojnë, ndërsa talentet që FSHF-ja kërkon për Kombëtaret shqiptare mbeten në pritje, shkruan A2.
“Ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare”, thekson Osmani, duke sqaruar se nuk ka asgjë kundër Rrahmanit apo futbollistëve të Kosovës. Shqetësimi i tij lidhet me shpejtësinë dhe vëmendjen që, sipas tij, duhet t’u kushtohet edhe talenteve që synojnë Shqipërinë.
Për Osmanin, çështja është urgjente, pasi bëhet fjalë për futbollistë të rinj që kanë një cikël të përcaktuar të moshave dhe vonesat administrative mund t’i bëjnë ata të humbasin mundësinë për të luajtur me ekipet kombëtare.
Ai paralajmëron se Shqipëria rrezikon të humbasë talente që i ka zbuluar dhe ndjekur, jo për shkak të futbollit, por për shkak të një procedure administrative.
Deri tani, Presidenca nuk ka dhënë një përgjigje publike ndaj akuzave të ngritura nga drejtori i Skautimit të FSHF-së. (A2 Televizion)