Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit është në pikë kritike, teksa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. IDF rinisi të dielën sulmet në pjesën jugore të Gazës, pasi – sipas ushtrisë izraelite – grupi militant kishte lëshuar predha antitank dhe zjarr artilerie kundër trupave izraelite në Rafah.
Por Hamas e mohoi një pretendim të tillë, duke deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit në të gjithë Gazën. Grupi shtoi se nuk ishte në dijeni të përleshjeve në Rafah dhe se nuk ka qenë në kontakt me grupet atje që prej muajit mars, shkruan A2 CNN.
Ushtria izraelite konfirmoi fillimisht se kishte ndërmarrë sulme ajrore në Rafah, duke shënjestruar militantët. Disa orë më vonë u njoftua se një valë e re sulmesh kishte filluar në Gazën jugore kundër “objektivëve terroristë”. Kryeministri Benjamin Netanjahu deklaroi se kishte urdhëruar ushtrinë të përgjigjej me forcë ndaj atyre që i cilësoi si shkelje të armëpushimit nga Hamas.
Banorët e Gazës dhe autoritetet shëndetësore thanë se sulmet ajrore dhe me tanke përreth enklavës kishin shkaktuar një sërë viktimash. Ndërkohë, një sulm në një kafene në qytetin al-Zawaida në Gazën qendrore vrau gjashtë pjesëtarë të brigadave Al-Qassam të Hamasit, përfshirë Yahya al-Mabhouh, komandantin e njësive elite të batalionit Jabalia.
Sipas zyrtarëve të IDF, sulme të mëtejshme do të ndërmerren kundër shënjestrave të Hamasit në hakmarrje për të paktën tre sulme ndaj trupave izraelite të dielën. Shpërthimi i tensioneve përbën provën më serioze të armëpushimit të hyrë në fuqi më 11 tetor, sipas planit të propozuar nga presidenti Trump. Ai vjen teksa Departamenti i Shtetit paralajmëroi se Hamas po përgatitej për një sulm ndaj civilëve në Gaza, në shkelje të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA. (A2 Televizion)