Pas paqes së brishtë, hija e luftës rikthehet të përndjekë Gazën. Ushtria izraelite nisi një sulm në enklavën bregdetare të dielën, sipas mediave më vend, duke zbehur shpresat se marrëveshja për armëpushim e ndërmjetësuar nga Trump do të çojë në paqe afatgjatë.
Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se Hamas kishte ndërmarrë një sërë sulmesh kundër forcave izraelite brenda Gazës, përfshirë një me predhë dhe snajper kundër ushtarëve. Sipas zyrtarit kjo përbente shkelje të armëpushimit, por Hamas përmes një deklarate pohoi se mbetej i përkushtuar për respektimin e marrëveshjes.
Autoritetet në Gaza raportuan 47 shkelje të armëpushimit të shtunën nga Izraeli me pasojë vrasjen e të paktën 38 personave. Raportimet vijnë teksa Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se ka informacione të besueshme se Hamas po përgatit një sulm kundër civilëve në Gaza, çka do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të marrëveshjes për armëpushim.
DASH pohoi se kishte informuar tashmë edhe garantorët e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza, që përfshijnë Egjiptin, Katarin, Turqinë dhe se i kishte kërkuar Hamasit ti përmbahet kushteve të ujdisë.
“Nëse Hamas do të realizojnë sulmin, masa do të merren për të mbrojtur banorët e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, tha departamenti i shtetit.
Presidenti amerikan Donald Trump e kishte paralajmëruar edhe më herët Hamasin kundër vrasjes së civilëve. “Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, nuk dot ë kemi zgjidhje tjetër përveçse të hyjmë atje dhe t’i vrasim”, ishte shprehur në një postim të rrjetet sociale. Por më vonë sqaroi se SHBA nuk do të çonte trupa në Gaza. (A2 Televizion)