
Elon Musk ka sugjeruar se qeveria amerikane mund të jetë përgjegjëse për kufizimet e shpejtësisë me të cilën mund të lëvizin disa prej armëve të Ukrainës dhe të qëndrojnë të lidhura me rrjetin e internetit Starlink të SpaceX.
Starlink është një mjet jetik që i mundëson Kievit të drejtojë dronët drejt objektivave ruse, si dhe të mbrojë hapësirën e vet ajrore. Megjithatë, të martën në mbrëmje, Ukraina njoftoi se kufizime të reja dhe të papritura të shpejtësisë po pengonin operacionet e saj në fushën e betejës.
Një këshilltar i presidentit Volodymyr Zelensky tha se besonte që këto kufizime nuk ishin rastësi dhe se lidheshin me tensionet e fundit mes Kievit dhe Uashingtonit.
Musk tha se Starshield, shërbimi motër i Starlink, i projektuar për përdorim ushtarak, kontrollohet nga qeveria amerikane dhe se “çdo kufizim i shpejtësisë ose i përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA”.
Musk reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke iu përgjigjur thirrjeve të zyrtarëve ukrainas për rikthimin e lidhjes. Mes tyre ishte edhe Zelensky, i cili i tha medias britanike: “Shpresoj që të jetë një gabim, ndoshta një problem i madh teknik. Nuk e di, por po kërkojmë që të... aktivizohet sërish”.
Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX të Musk, vendosi të martën në mbrëmje një kufi shpejtësie prej 100 miljesh në orë, çka bëri që çdo armë që lëvizte më shpejt se ky kufi të humbiste lidhjen me rrjetin.
Lidhja ishte rikthyer pjesërisht deri të mërkurën në mbrëmje, bëri të ditur ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov. (A2 Televizion)