Pas 19 ditësh kërkimesh intensive, autoritetet turke kanë gjetur në një thellësi prej 68 metrash trupin e biznesmenit Halit Yukay, varka e të cilit ishte gjetur gjysmë e fundosur dhe e dëmtuar pranë brigjeve të Artaki, në Detin e Marmarasë.
Thrilleri nisi më 4 gusht, kur biznesmeni Halit Yukay lundroi i vetëm drejt Mykonos, me varkën e tij "Graywolf" dhe pati një fund tragjik. Po atë ditë, në orën 15:10, të afërmit e tij njoftuan autoritetet, pasi nuk kishin lajme për të. Më 5 gusht, rreth orës 14:30, një anije tregtare që lundronte pranë Turanköy raportoi se pjesë të varkës ishin gjysmë të fundosura në sipërfaqen e detit.
Që nga ai moment, filloi një operacion në shkallë të gjerë, ku morën pjesë forca nga Roja Bregdetare e Propontisë Jugore, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Bregdetare dhe njësi speciale të policisë detare nga Samsuni, Dardanelet, Izmiri dhe Gjalova.
Kërkimet vazhduan pa ndërprerje për më shumë se dy javë. Në ditën e 19-të të kërkimit Halit Yukay u gjet 68 metra thell në det nga zona e konsideruar si zona ku ndodhi aksidenti.
Vendndodhja u përcaktua nëpërmjet një pajisjeje speciale Sonar të Rojës Bregdetare, ndërsa konfirmimi erdhi nga një robot nënujor (ROV), i cili regjistroi imazhe si të trupit ashtu edhe të pjesëve të motorit dhe të pllakave të varkës.
Procesi i nxjerrjes së trupit është planifikuar të bëhet duke përdorur një sistem special "ashensori", në mënyrë që procesi të mund të kryhet në mënyrë të sigurt nga shtrati i detit pa shkaktuar dëme të mëtejshme. Zhytësit ushtarakë do të koordinojnë operacionin, i cili pritet të përfundojë brenda orëve të ardhshme.
I lindur në vitin 1982, Halit Yukay ishte pronar i kompanisë Mazu Yachts, e cila prodhon jahte luksoze. Ai e filloi karrierën e tij profesionale si punëtor ndërtimi anijesh dhe kishte një ëndërr për të krijuar kompaninë e tij. Diçka që e arriti në vitin 2011 me Mazu Yachts që njihet në Turqi për dizajnet dhe teknologjitë që përdor.
Kompania e tij ka ndërtuar disa seri jahtesh vitet e fundit, nga Mazu 82, 24.9 metra deri te anija e saj kryesore, 132 DS 40.2 metra. (A2 Televizion)