Vietnami ka mbyllur aeroportet, shkollat dhe ka filluar evakuimet masive ndërsa përgatitet për stuhinë më të fuqishme të këtij viti. Tajfuni Kajiki, me erëra deri në 166 kilometra në orë pritet që të prekë tokën të hënën pasdite, njofton agjencia meteorologjike e vendit aziatik.
“Kjo është një stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme që lëviz me shpejtësi”, tha qeveria në një deklaratë të dielën në mbrëmje, duke paralajmëruar se Kajiki do të sjellë shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe rrëshqitje toke.
Me një vijë të gjatë bregdetare përballë Detit të Kinës Jugore, Vietnami është i prirur ndaj stuhive që shpesh janë vdekjeprurëse dhe shkaktojnë përmbytje të rrezikshme dhe rrëshqitje dheu.
Parashikohet që Kajiki të godasë provincat që janë më pak të industrializuara se zona e goditura vitin e kaluar nga tajfuni Yagi, i cili vrau rreth 300 persona dhe shkaktoi dëme materiale prej rreth 3.3 miliardë dollarësh. Stuhia parashikohet të lëvizë drejt brendësisë së Laosit dhe Tajlandës veriore.
Qeveria vietnameze tha të hënën se rreth 30,000 njerëz ishin evakuuar nga zonat bregdetare. Më shumë se 16,500 ushtarë dhe 107,000 personel paraushtarak janë mobilizuar për të ndihmuar me evakuimin dhe për të qenë në gatishmëri për operacione kërkim-shpëtimi, tha qeveria në një deklaratë. (A2 Televizion)