Sulmohen Huthit në Jemen, ushtria e Izraelit: Ka ujdi për pengjet, duhet ta pranojmë

Nga Xhevahir Qardaku
25 Gusht 2025, 10:26 | Bota

“Ekziston një marrëveshje për pengjet në tryezë, ne duhet ta pranojmë atë”.

Këtë e konfirmoi shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Gjenerali Eyal Zamir, gjatë një vizite në bazën detare të Haifës, siç raportohet nga The Times of Israel. Ai shtoi më pas se “IDF ka krijuar kushtet për një marrëveshje, tani çështja është në duart e Netanyahut”. Por ky i fundit ka në duar çështje të tjera.

“Kushdo që na sulmon, ne do ta sulmojmë. Unë besoj se i gjithë rajoni po mëson forcën dhe vendosmërinë e Izraelit”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu, pasi pa sulmet ajrore izraelite kundër rebelëve jemenas.

“Regjimi terrorist Huthi po mëson se do të paguajë dhe po paguan një çmim shumë të lartë për agresionin e tij kundër Izraelit”, shtoi më tej kreu i qeverisë.

Kundërsulmi erdhi pasi Huthët lëshuan një raketë të re në drejtim të shtetit hebre. Në rripin e Gazës, sakaq, 6 palestinezë u vranë në sulmet e ushtrisë izraelite. Disa prej tyre ishin pjesë e një ekipi që shpërndante ndihma humanitare. Në sulmet e fundit u raportuan dhe të plagosur.

Ndërkohë më herët, forcat izraelite vranë katër palestinezë të tjerë që po kalonin një zonë ushtarake në jug të qytetit të Gazës, e cila përdoret rregullisht për të arritur në një pikë shpërndarjeje ushqimi.

Spitali Al-Awda dhe dy dëshmitarë raportuan vdekjet kur trupat hapën zjarr ndaj një turme që po shkonte drejt një vendi të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, organizata amerikane e mbështetur nga Izraeli, në zonën e Korridorit Netzarim, qindra metra larg vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos