“Jemi gati për planin e paqes në Gaza”, lideri palestinez i shtrin dorën Trump: Poshtë Hamasi!

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 22:17 | Bota

Autoriteti Kombëtar Palestinez eliminon plotësisht Hamasin dhe i shtrin dorën e bashkëpunimit Perëndimit.

Presidenti Mahmud Abaz dënoi ashpër sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit dhe njoftoi krijimin e një kushtetute për shtetin e Palestinës. Ndjekim fjalën e tij përmes video-lidhjes në OKB. 

“Ne deklarojmë gatishmërinë tonë për të punuar me Presidentin Donald Trump, me Arabinë Saudite, Francën, Kombet e Bashkuara dhe të gjithë partnerët për të zbatuar planin e paqes të miratuar në konferencën e 22 shtatorit, duke hapur rrugën për një paqe të drejtë dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal. Pavarësisht të gjitha vuajtjeve që ka vuajtur populli ynë, ne e hedhim poshtë atë që kreu Hamasi më 7 tetor - akte që shënjestruan civilët izraelitë dhe i morën peng - sepse veprime të tilla nuk përfaqësojnë popullin palestinez dhe as luftën e tyre të drejtë për liri dhe pavarësi.

Ne pohojmë se Gaza është një pjesë integrale e Shtetit të Palestinës dhe se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi të plotë për qeverisjen dhe sigurinë atje. Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisje dhe, së bashku me fraksionet e tjera, duhet t'ia dorëzojë armët Autoritetit Kombëtar Palestinez brenda kuadrit të ndërtimit të institucioneve të një shteti, një ligji dhe një force legjitime sigurie. Ne përsërisim se nuk duam një shtet të armatosur”, tha Abas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos