I dërguari i posaçëm i SHBA, Steve Wittkof, dhe dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, do t’i bashkohen bisedimeve për paqen në Gaza mes negociatorëve izraelitë dhe të Hamasit në Egjipt.
Përfshirja e tyre vjen teksa dita e dytë e bisedimeve indirekte përfundoi pa ndonjë rezultat të prekshëm. Siç bëri të ditur një zyrtar i lartë palestinez, palët patën mosmarrëveshje mbi hartat e propozuara të tërheqjes izraelite nga Gaza dhe mbi garancitë që Hamasi kërkon për të siguruar që Izraeli të mos rinisë luftimet pas fazës së parë të marrëveshjes, shkruan A2.
Trump u shpreh optimist duke thënë se kishte një mundësi për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme: “Jemi shumë pranë arritjes së një ujdie në Lindjen e Mesme e cila do të sjellë paqen atje, pas gjithë këtyre viteve dhe miliona e dhjetëra miliona njerëzve të vrarë. Ekziston mundësi për paqe”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu nuk e komentoi statusin e bisedimeve, por i tha izraelitëve se këto ishin "ditë vendimtare". Në një postim në X, Netnjahahu shtoi se Izraeli do të vazhdonte të vepronte për arritjen e qëllimeve në luftë: kthimi i të gjitha pengjeve, eleminimi i regjimit të Hamasit dhe premtimi që Gaza të mos jetë më kërcënim për Izraelin.
Përpos Kushner dhe Witkof, bisedimeve do t’u bashkohet edhe kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i konsideruar si një negociator kyç. I pranishëm të mërkurën do të jetë edhe kreu i inteligjencës turke.
Sipas raportimeve, bisedimet po fokusohen në 5 çështje kyçe: armëpushim i përhershëm, shkëmbimi i pengjeve, tërheqja e forcave izraelite, hyrja e ndihmave humanitare dhe qeverisja e pasluftës.
Kryenegociatori i Hamasit, Khalilal-Hayya, i shënjestruar nga një sulm izraelit në Katar, tha se grupi ishte gati të pranonte ujdinë, por se donte garanci reale nga Trump dhe komuniteti ndërkombëtar. (A2 Televizion)