Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se homologu britanik Sir Keir Starmer është "në anën e gabuar të njerëzimit" pasi bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës në Gaza.
Sipas mediave të huaja, Netanyahu ka postuar një video në anglisht në mediat sociale, duke sulmuar udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë për kritikimin e qasjes së Izraelit në Gaza.
Ai e lidh konkretisht kritikën e tyre me vrasjet në Uashington DC të punonjësve të ambasadës izraelite, Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim.
Në video, Netanyahu thotë: “Yaron dhe Sarah nuk ishin viktima të një krimi të rastësishëm. Terroristi që i qëlloi mizorisht ata e bëri këtë për një arsye dhe vetëm një arsye – ai donte të vriste hebrenjtë. Dhe ndërsa po e arrestonin, ai brohoriste, ‘Lironi Palestinën!’
Për këta neonazistë, ‘Palestina e Lirë’ është thjesht versioni i sotëm i ‘Heil Hitler’.
"Ata nuk duan një shtet palestinez. Ata duan të shkatërrojnë shtetin hebre. Ata duan të zhdukin popullin hebre, i cili ka qenë në Tokën e Izraelit për 3,500 vjet", tha më tej Netanyahu.
Më vonë në klip, ai shton: “I them Presidentit Macron, Kryeministrit Carney dhe Kryeministrit Starmer: Kur vrasësit masivë, përdhunuesit, vrasësit e foshnjave dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të drejtësisë.”
"Je në anën e gabuar të njerëzimit dhe je në anën e gabuar të historisë", tha ai më tej, shkruan A2 CNN.
Kryeministri izraelit shton se vendi i tij ka miq, duke veçuar SHBA-në.
Ai thotë: "Dua të falënderoj veçanërisht Presidentin Trump dhe popullin amerikan për qëndrimin e tyre të hapur me Izraelin dhe me popullin hebre. Së bashku qëndrojmë." (A2 Televizion)