Zjarr i madh në një maternitet në Angli, evakuohen foshnjat dhe nënat shtatzëna

Nga A2 CNN
22 Maj 2025, 22:06 | Bota

Zjarr i madh në një maternitet në Angli, evakuohen foshnjat dhe

Një zjarr i fuqishëm përfshiu këtë të enjte në mbrëmje çatinë e maternitetit “St Michael’s” në Bristol të Anglisë, duke detyruar evakuimin urgjent të grave shtatzëna dhe foshnjave të porsalindura. Flakët, që dyshohet se nisën nga panelet diellore në tarracë, shpërthyen rreth orës 16:30, duke shkaktuar panik mes pacientëve dhe familjarëve.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe tym të zi që ngrihej mbi ndërtesën, ndërsa zjarrfikësit ndërhynë me dhjetëra makina për të vënë zjarrin nën kontroll. Sipas shërbimit zjarrfikës, nuk ka të lënduar, por një pjesë e spitalit u evakuua për siguri, shkruan A2 CNN.

Nënat shtatzëna dhe foshnjat u zhvendosën në ambientet e bibliotekës së Universitetit të Bristolit, me ndihmën e stafit mjekësor që u ofroi batanije, ushqim dhe kujdes të menjëhershëm. Dëshmitarë dhe familjarë shprehën frikën dhe shqetësimin për situatën. “Isha brenda kur ra alarmi. Kur dola, pashë gjithë ndërtesën në tym dhe flakë”, tha një baba që po priste lindjen e fëmijës së tretë.

Ndërkohë, baballarë të shqetësuar u panë jashtë ndërtesës, duke pritur lajme për partneret dhe fëmijët e tyre. “Fatmirësisht gjithçka është në rregull me gruan dhe foshnjën. Tani po kthehem brenda për t’i qëndruar pranë”, u shpreh një tjetër prind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos