“Është e paimagjinueshme, por është edhe për shkak të këtij kodi elektoral që është i imponuar nga Edi Rama, që kandidat, siç është rasti i doktor Alimehmetit, me 18 mijë vota të jetë jashtë parlamentit dhe në parlament të jenë banditë si Tërmet Peçi apo si Agron Malaj i Burrelit”.
Kështu u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN Belind Këlliçi, i cili theksoi se në PD do të ketë një analizë të detajuar për rezultatin e 11 majit, por më parë do të bëhet denoncimi i farsës elektorale, siç e quajti ai.
“Askush në këtë moment nga PD-ja nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë personale apo të ekipit. Patjetër, timonier është kryetari i partisë, por të gjithë kemi rolet tona. Pasi të ketë përfunduar i gjithë denoncimi i kësaj farse elektorale dhe pasi ne të mos kemi humbur trenin e denoncimit, këtë periudhë kohore deri në daljen e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, ne do ta shfrytëzojmë 100% për t’i bërë opinionit publik të ditur se çfarë ka ndodhur në 11 maj.
Që ne do të kemi një analizë të brendshme dhe do të marrim përgjegjësitë tona, kjo është padiskutueshme duke filluar nga unë i pari. Kjo është një çështje që i takon forumeve të brendshme të PD-së, zyrtarëve të PD, ekipit të kandidatëve, jo të gjithë kanë pasur të njëjtin performancë, jo të gjithë kanë pasur të njëjtin impenjim. (A2 Televizion)