“Jepni grushtin e fundit”, Putin: Ukraina të administrohet nga OKB për zgjedhjet

Nga Erjon Dervishi
28 Mars 2025, 10:10 | Bota

Presidenti rus Vladimir Putin sugjeroi që Ukraina të vendoset nën një formë të administrimit të përkohshëm nga Kombet e Bashkuara, për të lejuar zgjedhje të reja dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kryesore për të arritur një zgjidhje në luftë. Komentet e Putinit, gjatë një vizite në portin verior të Murmansk, vijnë në mes të përpjekjeve të SHBA-së për të gjetur një zgjidhje për konfliktin duke rivendosur lidhjet me Rusinë dhe duke u angazhuar si me Moskën ashtu edhe me Kievin, në bisedime të veçanta. Sugjerimi i Putinit për një administratë të përkohshme duket se adreson ankesën e tij të gjatë se autoritetet e Ukrainës nuk janë një partner legjitim negociues pasi Presidenti Volodymyr Zelenskiy ka qëndruar në pushtet përtej përfundimit të mandatit të tij në maj 2024.

“Në princip, sigurisht, mund të jetë e mundur, nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, me Shtetet e Bashkuara, edhe me vendet europiane dhe sigurisht me partnerët tanë dhe miqtë, të diskutojmë mundësinë e një administrimi të përkohshëm në Ukrainë. Për cfarë? Në mënyrë që ta mbahen zgjedhje demokratike, në mënyrë që të sjellin në pushtet një qeveri legjitime e cila gëzon besimin e popullit, dhe më pas të fillojmë negociatat për një traktat paqeje, të firmosim dokumenta legjitime të cilat do të njihen nga e gjithë bota”, tha Putin.

Udhëheqësi i Kremlinit është akuzuar nga Ukraina dhe liderët evropianë për përpjekje për të zgjatur bisedimet e armëpushimit pa ndonjë qëllim serioz për të ndaluar luftimet.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte pranuar tashmë shumicën e kërkesave të Rusisë përpara fillimit të bisedimeve për një zgjidhje paqeje dhe kishte goditur vazhdimisht me thikë pas shpine ish-aleatit të tij, Ukrainës. Kjo duket se e ka bërë Putinin të bëjë kërkesa gjithnjë e më të reja, më të gjera.

Kishte vetëm një koment të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë mbi kërkesat e fundit të Putinit. Qeverisja e Ukrainës përcaktohet nga kushtetuta dhe populli i vendit, tha të enjten (me orën lokale) një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ushtarakisht, shefi i Kremlinit u shfaq edhe një herë i sigurt për fitoren. Forcat e armatosura ruse kanë kapur tashmë 99 për qind të rajonit të Luhanskut dhe më shumë se 70 për qind të secilit prej rajoneve Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat gjithashtu u aneksuan nga Moska. Trupat ukrainase janë në prag të humbjes totale, pohoi Putin. "Ka arsye për të besuar se ne do t'u japim atyre një grusht të fortë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos