BSH për buxhetin e paketën fiskale: Frenoni emigracionin, korrigjoni skemën e pensioneve dhe ruani borxhin

Nga Marjo Brakaj
2 Nëntor 2026, 13:53 | Ekonomi

“Frenoni emigracionin dhe korrigjoni skemën e pensioneve”. Janë këto ndër sugjerimet më emergjente që Banka e Shqipërisë i bën qeverisë. Nga komisioni për Ekonominë, Financat dhe Punësimit, zëvendësguvernatorja Natasha Ahmetaj paralajmëroi “ditë të vështira” për ekonominë nëse rekomandimet bien në “vesh të shurdhër”.

“Trendet e pafavorshme demografike, si emigracioni, plakja e popullsisë dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvizon rëndësinë e reformave, në këtë kontekst BSH inkurajon reformimin e sistemit të pensioneve, të cilat synojnë vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm mes përfitimit dhe kapacitetit financiar të skemës. Vlerësojmë shqyrtimin e mundësive për përshtatje të skemës publike, zgjerimin bazës së kontribuuesve dhe zgjerimin e skemave plotësuese të mëtejshme”, deklaroi Natasha Ahmeta, zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë.

Në mungesë të guvernatorit Gent Sejko, zëvendësguvernatorja Ahmetaj paraqiti para anëtarëve të komisionit edhe qëndrimin e Bankës Qendrore mbi nevojën urgjente për të diversifikuar burimet e rritjes ekonomike.

“Statusi i Shqipërisë si një ekonomi me të ardhura të mesme dhe perspektiva e përballjes me një nivel më të lartë konkurrence brenda BE-së kërkojnë vijimin e reformave për reduktimin e dobësive strukturore, si edhe përshpejtimin e ritmit të rritjes. Këto reforma duhet të synojnë zgjerimin e bazës sektoriale të rritjes, përmirësimin e produktivitetit të punës dhe kapitalit nëpërmjet rritjes së cilësisë së arsimit, përmirësimit të klimës së biznesit dhe krijimit të një ambienti favorizues për investime dhe inovacion”, tha Natasha Ahmeta, zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj u ndal edhe te paketa e re tatimore, e cila parashikon ndryshime taksat e tarifash për qytetarët dhe bizneset ku dha edhe rekomandime veçanërisht për të mbështetur sektorin bujqësor.

“Projektbuxheti 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike, ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe rrit hapësirat për reagimin e politikës financiare. Bujqësia duhet të ketë më shumë vëmendje”, theksoi ajo.

Pavarësisht këtyre sugjerimeve, Banka e Shqipërisë e vlerëson pozitivisht projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se ai ruan qëndrueshmërinë e financave publike dhe krijon mundësi për investime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos