
Kryeministri Edi Rama deklaroi se administrata shqiptare ka treguar nivel të lartë përgatitjeje në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke marrë vlerësime edhe nga Brukseli dhe partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë prezantimit të reformës së administratës publike, Rama paralajmëroi për rrezikun e demotivimit dhe humbjes së meritokracisë brenda institucioneve.
Ai theksoi se, pavarësisht përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së pagës mesatare në rreth 1100 euro, problemi kryesor mbetet garantimi i meritës në punësim dhe promovim.
“Konfirmohet nga Brukseli dhe partnerët, se administrata jonë ka njerëz që njohin me detaje fusha dhe që ushqejnë respekt. Brenda organizmit të administratës mund të krijohet një mpirje, një demotivim, dhe një prishje të asaj shkalle të meritës që do e vendosim në qendër të vëmendjes sonë. Kemi përmirësuar kushtet e punës në administratë, kemi rritur pagat, kemi pagë mesatare rreth 1100 euro. Një pagë më e mirë e mirë, nuk e zgjidh problemin kryesor, meritën. Ky dëgjim është i rëndësishëm, edhe pse jo e gjitha është e zezë, ose e bardhë. Jemi të vetëdijshëm”, theksoi ai.
Rama u shpreh se janë shtuar shërbimet online, duke eliminuar sportelet, që sillnin burokraci me qëllim që të mos ketë më zvarritje të shërbimit të qytetarit.
“Transformimi i administratës shqiptare flet me fakte. Ne e kemi ndryshuar mënyrën si ofrohen shërbimet, kemi hequr sportelet e tmerrshme, ishin përcaktuese në jetën e përditshme të qytetarëve. Kemi investuar shumë në teknologji. Kemi ndërtuar një infrastrukturë digjitale që na ka vendosur në grupin më të përparuara të vendeve. Mund ta kesh shërbimin e sofistikuar digjital, por nëse pas atij shërbimi kërkesa e qytetarit zvarritet, atëherë, qytetari vijon të ketë problem serioz me shtetin. Me Besën, kemi synuar të ndryshojmë marrëdhënien e qytetarit me shërbimin, me pasqyrën forcojmë transparencën”, theksoi ai (A2 Televizion)