
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot planin e transformimit të administratës publike mbi shkallën e meritës së administratës në raport me shërbimin ndaj qytetarëve.
Sipas tij kjo reformë synon të garantojë punësimin dhe promovimin në hierarkinë e administratës publike të njerëzve më të aftë.
Rama theksoi se pjesë e reformës është edhe krijimi, për herë të parë, i një ministrie të dedikuar për administratën publike dhe mirëqeverisjen, drejtimi i së cilës do t’i besohet Adea Pirdenit.
“Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës.
Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t'i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t'i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”, tha Rama. (A2 Televizion)