Jo me paratë ruse por ato të BE, liderët e bllokut aprovojnë paketën 90 mld euro për Ukrainën

Nga Rosalba Bejdo
19 Dhjetor 2025, 15:52 | Bota

Jo me paratë ruse por ato të BE, liderët e bllokut aprovojnë

Liderët e Bashkimit Europian arritën marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 90 miliardë eurosh, në mënyrë që të financojnë mbrojtjen e saj kundër Rusisë, pasi dështuan të dakordësoheshin mbi përdorimin e aseteve të ngrira të Moskës.

Krerët e Unionit i dhanë gjithashtu mandatin Komisionit Europian të vazhdojë punën për të ashtuquajturën kredi riparimi, të bazuar në asetet e ngrira të Rusisë, por ky opsion rezultoi të ishte jofunksional për momentin, kryesisht për shkak të rezistencës nga Belgjika, ku edhe mbahen asetet.

“Ne do të ofrojmë kredinë e mbështetur nga buxheti i Bashkimit Europian. Kjo do të adresojë nevojat urgjente financiare të Ukrainës dhe Ukraina do ta shlyejë këtë kredi vetëm kur Rusia të paguajë dëmshpërblimet. Unioni rezervon të drejtën e tij për të përdorur asetet e palëvizshme për të shlyer këtë kredi”.

Zelenski, i cili i pati kërkuar liderëve të BE-së të përdornin fondet ruse prej 210 miliardë eurosh, tha se mbështetja fuqizon rezistencën ukrainase.

Ideja e kredisë së financuar nga BE-ja fillimisht dukej e parealizueshme, pasi kërkon unanimitet dhe kryeministri hungarez, Viktor Orbán, aleat i Putinit, e kishte kundërshtuar atë. Por Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke ranë dakord ta zhbllokonin skemën, për sa kohë që nuk i ndikonte financiarisht.

Udhëheqësit e BE-së thanë se asetet ruse, që arrijnë në total 210 miliardë euro në BE, do të mbeten të ngrira derisa Moska t’i paguajë dëmshpërblimet e luftës Ukrainës. Nëse Moska ndërmerr ndonjëherë një hap të tillë, Ukraina mund t’i përdorë paratë për të shlyer kredinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos