
Një ndjekje e rrezikshme me makinë në ambientet e një spitali në veriperëndim të Greqisë, këtë javë, ka çuar në zbulimin e një grupi mashtruesish telefonikë, të cilët më herët kishin përvetësuar një shumë të madhe parash dhe monedhash ari nga një grua e moshuar. Kështu bëri të ditur policia greke të premten.
Burime policore thanë se janë identifikuar tre burra me origjinë rome, të cilët janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ndodheshin në një automjet tip fuoristradë të zezë, që përshkoi me shpejtësi ambientet e spitalit të Janinës. Gjatë ngjarjes, një efektiv policie që tentoi ta ndalonte automjetin mbeti i plagosur, ndërsa drejtuesit arritën të largoheshin.
Të dyshuarit mendohet se kanë përdorur të njëjtën makinë për t'u larguar nga banesat e personave që kishin mashtruar, duke u marrë para dhe bizhuteri, më 9 dhe 11 nëntor.
Arsyeja përse ata nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar, duke shkaktuar ndjekjen dhe të shtënat me armë që pasuan, ishte se në automjet transportonin para dhe monedha ari britanike me vlerë rreth 500 mijë euro.
Më herët të premten, pronarja 24-vjeçare e automjetit, e cila ishte arrestuar dy ditë më parë pasi ishte paraqitur në një komisariat policie në Zefyri, në periferi veriperëndimore të Athinës, për të deklaruar se fuoristrada ishte vjedhur, u dërgua para prokurorit në Janinë.
Ajo dyshohet se ka bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit, pasi makina ishte përdorur për të paktën nëntë ditë nga personat e dyshuar për mashtrimet telefonike, përpara se ajo të njoftonte autoritetet.
(A2 Televizion)