Kievi është goditur nga një sulm i fuqishëm me dron rus për të shtatën natë radhazi. Sulmet ajrore ruse plagosën 17 persona dhe dëmtuan një ndërtesë banimi 21-katëshe në qytetin port ukrainas të Odesës, në Detin e Zi, herët të enjten. Këtë fakt e ka bërë me dije Serhiy Lysak, kreu i administratës ushtarake të qytetit, përmes aplikacionit të mesazheve Telegram.
Mes të plagosurve ka edhe tre fëmijë, tha Lysak në postimin e tij, i cili përfshinte pamje të një ndërtese me dritare të shkatërruara. Në kryeqytetin ukrainas, Kiev, një dëshmitar i Reuters raportoi për një shpërthim të mërkurën në mbrëmje, ndërkohë që vazhdonin sulmet ajrore ruse.
Sakaq, autoritetet daneze kanë zbuluar plane konkrete nga Rusia për të kryer sabotim kundër kompanive në Danimarkë. "Vërejmë se kompanitë daneze janë gjithashtu shënjestër e planeve konkrete të sabotimit nga Rusia dhe se shërbimet ruse të inteligjencës po përgatisin në mënyrë aktive veprime sabotimi që synojnë industrinë e mbrojtjes në Danimarkë", tha Emil Græsholm, kreu i kundërzbulimit danez në PET.
Ndërkohë, Norvegjia, me urdhër të kompanisë shtetërore të energjisë ukrainase Naftogaz, sekuestroi një anije turistike ruse në Arktik. Naftogaz njoftoi të mërkurën se autoritetet norvegjeze sekuestruan anijen "Professor Molchanov" në arkipelagun Svalbard bazuar në një urdhër gjykate që detyronte Rusinë të paguante kompensim ndaj Naftogaz. Masa thuhet se u urdhërua nga një gjykatë norvegjeze.
Sekuestrimi synon të zbatojë një vendim arbitrazhi që urdhëroi Rusinë t'i paguajë Naftogaz afërsisht 4.2 miliardë dollar për asetet e konfiskuara në gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë në Detin e Zi, shkruan A2 CNN. Por as Moska nuk ka qëndruar duarkryq.
Me anë të një reagimi të Ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov, Rusia do të mbyllë degët e Institutit Goethe në Moskë, Shën Petersburg dhe Jekaterinburg në përgjigje të mbylljes së Shtëpisë Ruse në Berlin nga autoritetet gjermane.
“Gjermania ka këtu degë të Institutit Goethe në Moskë, Shën Pjetërburg dhe Jekaterinburg. Por, sigurisht që ato do të mbyllen pasi qendra jonë kulturore u dëbua prej andej. Është e thjeshtë, e kuptoni; përndryshe do të humbisnim respektin për veten. Duke ndërmarrë këtë hap, ata po veprojnë me dashje dhe duhet ta kuptojnë se kjo nënkupton padyshim fundin e pranisë kulturore gjermane në Rusi – prani që kishte vazhduar të ekzistonte pavarësisht të gjitha këtyre komplikimeve lidhur me Ukrainën”, tha Lavrov.
Goethe-Institut-i i parë në Rusi u hap në Moskë në vitin 1992, menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Pas një mosmarrëveshjeje diplomatike me Britaninë, Rusia urdhëroi mbylljen e British Council-it në vitin 2018. (A2 Televizion)