Kalimi në “Tokën e premtuar”, Biden vendos kufizime ligjore për kalimin e paligjshëm të kufirit

Nga Erjon Dervishi
5 Qershor 2024, 11:04 | Bota

Presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi të martën një urdhër të ri ekzekutiv, i cili synon të frenojë fluksin e emigrantëve të paligjshëm nga Meksika, çështje që e ka bërë politikisht të cenueshëm në vitin e rëndësishëm zgjedhor.

Masa që ka hyrë në fuqi nga mesnata, i mohon të drejtën për azil atyre që hyjnë ilegalisht, si dhe u jep mundësi autoriteteve t'i deportojnë me shpejtësi pa shqyrtuar kërkesat e tyre.

Përjashtime do të bëhen për fëmijët e pashoqëruar, personat që përballen me rreziqe shëndetësore ose të sigurisë dhe viktimat e trafikimit, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Biden sqaroi se e drejta për azil do të mbetet e pandryshuar për emigrantët që përdorin rrugë ligjore për të hyrë në vend.

"Sot po njoftoj veprime për të ndaluar migrantët që kalojnë kufirin tonë jugor në mënyrë të paligjshme nga marrja e azilit. Ky veprim do të na ndihmojë të fitojmë kontrollin e kufirit tonë dhe të rivendosim rendin. Ky ndalim do të mbetet në fuqi derisa numri i njerëzve që përpiqen të hyjnë ilegalisht të reduktohet në një nivel që sistemi ynë mund ta menaxhojë në mënyrë efektive”.

Por pavarësisht vendimit të Administratës Biden, dhjetëra emigrantë kanë vijuar udhëtimin e tyre përtej kufirit të SHBA-së në shtetin e Kalifornisë. Shumica e emigrantëvë të bllokuar në Meksikë shprehen të pakënaqur me vendimin e Presidentit Biden. Për ta, e gjitha kjo është një kurth pasi tashmë ndodhen para murit që i ndan nga toka e premtuar.

“Kjo është e padrejtë, është e padrejtë sepse si do ta dimë se si do procedohet me ne? Ata gjithmonë mund të thonë se tashmë i kanë kaluar 2500 milje dhe më pas, të gjithë kthehen prapa. Ky është një kurth”.

Kufizimet e reja të shpallura nga administrate Biden pritet të sjellin sfida ligjore për grupet e emigrantëve dhe të të drejtave civile, të cilët kanë kritikuar Biden për miratimin e politikave të ngjashme me Trump dhe tërheqjen e detyrimeve ligjore të SHBA-së ndaj azilkërkuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos