Kaos gjatë shfaqjes së Messi-t në Indi, tifozët e tërbuar hedhin karrige dhe shishe në fushë

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 11:58 | Bota

Kaos gjatë shfaqjes së Messi-t në Indi, tifozët e

Një event i shumëpritur me Lionel Messin në Indi u shndërrua në kaos, pasi tifozë të zemëruar hodhën karrige plastike dhe shishe drejt fushës së stadiumit Salt Lake në Kolkata. Incidenti ndodhi gjatë vizitës së yllit argjentinas në kuadër të të ashtuquajturit “GOAT Tour”, një seri eventesh promovuese në disa qytete indiane.

Mijëra tifozë kishin paguar deri në rreth 130 dollarë amerikanë për një biletë, me shpresën për ta parë nga afër fituesin e Kupës së Botës 2022 dhe tetë herë fitues të “Topit të Artë”, shkruan A2 CNN. Megjithatë, zhgënjimi ishte i madh, pasi Messi u shfaq vetëm për rreth 20 minuta, duke ecur rreth fushës, ndërsa ishte pothuajse i padukshëm për publikun për shkak të një grupi të madh zyrtarësh, politikanësh dhe personazhesh publikë që e rrethonin.

Situata u përkeqësua kur Messi u largua herët nga stadiumi nën masa të rrepta sigurie. Sipas mediave lokale, disa tifozë hynë në fushë, shkatërruan pankarta dhe tenda, ndërsa të tjerë hodhën sende drejt tribunave. Një tifoz u shpreh për mediat indiane se kishte paguar rreth 55 dollarë për biletën dhe kishte ardhur me djalin e tij për të parë Messin, jo politikanët. Të tjerë theksuan se kishin shpenzuar pothuajse një pagë mujore për këtë event.

Kryeministrja e Bengalit Perëndimor, Mamata Banerjee, reagoi ashpër duke u shprehur “thellësisht e tronditur dhe e shqetësuar” nga ngjarja. Ajo njoftoi ngritjen e një komisioni hetimor për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen, duke i kërkuar ndjesë Messit dhe dashamirësve të sportit.

Messi ndodhet në Indi për një tur promovues që përfshin edhe Hyderabadin, Mumbain dhe Nju Delhin. Turneu nisi me prezantimin e një statuje gjigante rreth 21 metra të lartë të tij në Kolkata, e cila u zbulua virtualisht për arsye sigurie. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos