
Katari ka dënuar “në termat më të ashpër” sulmin me dronë ndaj dy pikave kufitare të Kuvajtit, të cilat sipas raportimeve janë goditur nga mjete ajrore pa pilot të nisura nga Iraku.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit e cilësoi këtë akt si një “shkelje të hapur të sovranitetit të Kuvajtit” dhe një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Në deklaratë u theksua se incidente të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet në një zonë tashmë të ndjeshme gjeopolitikisht.
“Ministria e Punëve të Jashtme thekson nevojën që Iraku të marrë përgjegjësitë e tij për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të tilla,” thuhet më tej, duke nënvizuar rëndësinë e kontrollit të territorit dhe parandalimit të veprimeve nga grupe të armatosura apo aktorë joshtetërorë.
Deklarata gjithashtu rikonfirmon solidaritetin e plotë të Katarit me Kuvajtin dhe mbështetjen për të gjitha masat që ai mund të ndërmarrë për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e tij. (A2 Televizion)