
Irlanda, Spanja, Holanda dhe Sllovenia kanë njoftuar se do të bojkotojnë Eurovision 2026, pasi Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) vendosi të mos zhvillojë votim për përjashtimin e Izraelit nga konkursi i ardhshëm, pavarësisht thirrjeve të shumta nga transmetues pjesëmarrës.
Vendimi u mor në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, ku shumica e anëtarëve ranë dakord se nuk kishte nevojë për diskutime të mëtejshme mbi pjesëmarrjen e Izraelit, duke lejuar kështu pjesëmarrjen e tij në garë, shkruan A2 CNN.
Transmetuesit e lidhin bojkotin me luftën në Gaza dhe krizën humanitare, duke deklaruar se pjesëmarrja në event është e papajtueshme me vlerat dhe përgjegjësitë e tyre publike. RTÉ i Irlandës theksoi se situata në Gaza e bën të pamundur përfshirjen e vendit në Eurovision, ndërsa transmetuesi spanjoll RTVE kritikoi mungesën e transparencës dhe refuzimin e kërkesës së tij për një votim të fshehtë mbi pjesëmarrjen e Izraelit.
Ministri spanjoll i kulturës, Ernest Urtasun, mbështeti hapur bojkotin, duke thënë se kultura duhet të qëndrojë në anën e paqes dhe drejtësisë, përcjell A2 CNN.

Edhe Avrotros i Holandës dhe RTVSLO i Sllovenisë deklaruan se pjesëmarrja bie ndesh me vlerat e tyre institucionale, veçanërisht në një moment të tensionuar politik dhe humanitar. Ndërkohë, disa vende, si Britania dhe Gjermania, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre dhe mbështetën vendimin e EBU-së.
Për të adresuar kritikat, EBU miratoi rregulla të reja kundër promovimit të tepërt nga qeveritë dhe palët e treta, por këto ndryshime u konsideruan të pamjaftueshme nga vendet që vendosën bojkotin. (A2 Televizion)