Braçe kundër Territoriales: Po ndryshojnë jetën e njerëzve në 15 bashki

Nga A2 CNN
8 Tetor 2026, 16:51 | Politikë

Braçe kundër Territoriales: Po ndryshojnë jetën e

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka kundërshtuar sërish nga foltorja e Kuvendit reformën territoriale dhe ndryshimet e propozuara në hartën e re administrative.

Në fjalën e tij, Braçe u shpreh se me ndryshimet territoriale “po ndryshohet jeta e njerëzve” dhe jo thjesht kufijtë administrativë të bashkive.

“Me territorin, pushtetin në këtë vend janë bërë eksperimente pas eksperimente. Kam qenë në këtë Kuvend kur kryetar bashkie u bënë deputetë dhe i bënin të dyja këto”, deklaroi Braçe.

“Pushteti vendor është pushteti i qytetarit. Reforma që kemi përpara është një ligj që vizaton një hartë të re. Harta e provuar shumë herë është e përkohshme dhe, si reformë, tërësisht e pamjaftueshme”, tha deputeti socialist.

“E kam dëgjuar disa herë, veçanërisht sot paradite, se harta është mundësia politike, më troç, votave që krijon. Kështu ishte edhe në vitin 2014. Më e keqja këtu është që këtu jemi edhe sot”, u shpreh ai.

Ai theksoi se reforma duhet të bazohet te parimet dhe nevojat e qytetarëve, duke kundërshtuar ndryshime që, sipas tij, nuk garantojnë qëndrueshmëri.

“Edhe kjo hartë, që me gjasë do të ndryshojë, do të marrë fuqi në vitin 2031. Qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por nga parimet. Parimet janë shkelur, nuk janë zbatuar kudo njësoj në territorin e diktuar nga kjo hartë”, tha Braçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos