Një grup katolikësh konservatorë kritikojnë rregullat e reja kishtare në Gjermani, sipas së cilave homoseksualët mund të bekohen në kishë dhe po ashtu edhe të rimartuarit pas divorcit. Përmes një deklarate të publikuar në Neuss (24.04.) nisma "Fillimi i ri" tha: "Po paraqesim kundërshtimin tonë rreth Konferencës së Peshkopëve Gjermanë dhe autoriteteve përkatëse në Romë dhe kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të këtij dokumenti".
Një ditë më parë (23.04.) Konferenca e Peshkopëve Gjermanë dhe Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë (ZdK) publikuan një rregullore të re për këshilltarët shpirtërorë të besimtarëve. Sipas këtij dokumenti "dera është e hapur" edhe për "çiftet e rimartuara pas divorcit, çiftet e të gjitha identiteteve gjinore dhe orientimeve seksuale si dhe ato që nuk duan ose nuk munden të marrin bekimin për martesë për arsye të tjera".
Tejkalim kufiri?
Sipas kritikëve dokumenti e tejkalon vijën e kuqe të Ligjit Kanonik. Edhe pse dokumenti konsiderohet “jo i detyrueshëm", ka si qëllim legjitimimin e një praktike kontroverse përmes miratimit episkopal.
Vatikani parashikon një dallim të qartë mes një bekimi spontan përditshmërie dhe një akti liturgjik bekimi. Ky i fundit lidhet ende me disa kushte të posaçme. Rimartesa dhe çiftet homoseksuale janë të përjashtuara. Rregullorja është e qartë dhe nuk parashikon sqarime të tjera në lidhje me procesimin e bekimeve.
Rezultat i rrugëtimit reformues gjerman
Konferenca e Peshkopëve dhe ZdK e konsiderojnë rregulloren e re, rezultat të dialogut reformues brenda Kishës Katolike në Gjermani. Sipas përfaqësuesve të këtyre strukturave, hapja e kohëve të fundit e Vatikanit ndaj bekimit të lidhjeve homoseksuale u mor gjithashtu në konsideratë. Kjo rregullore ndjek qasjen e Papa Françeskut, qasje e cila është e orientuar drejt kujdesit baritor.
Nisma “Out in church" e kritikoi gjithashtu rregulloren, megjithatë në një mënyrë më të ndrojtur dhe të butë. Sipas këndvështrimit të tyre, një manual i detyrueshëm për organizimin liturgjik të bekimeve, mungon. Gjithsesi, kjo është kërkuar shprehimisht në „Shtegun Sinodal". E megjithatë çiftet homoseksuale vijojnë të jenë të diskriminuar.
Pjesë e nismës “Out in church" janë rreth 123 punonjës dhe anëtarë të Kishës Katolike të cilët dolën hapur si queer, homoseksualë dhe transgjinorë në janarin e vitit 2022./ DW (A2 Televizion)