Ignat Kuzin, 42-vjeçari i cili akuzohet për vrasjen e gjeneralit Yaroslav Moskalik, në Moskë, dyshohet se e ka përgatitur atë për një vit, pasi u rekrutua nga Shërbimet Sekrete të Ukrainës (SBU).
Gjykata vendosi të linte në paraburgim për dy muaj 42-vjeçarin, teksa hetimet për shpërthimin e makinës me eksploziv pranë shtëpisë së gjeneralit Moskalik vijojnë.
Sipas mediave ruse, gjatë marrjes në pyetje, Kuzin tha se ishte rekrutuar nga SBU ukrainase. Sipas të njëjtave burime, 42-vjeçari ka zbuluar se në shtator të vitit 2023 ka mbërritur në Rusi nga Ukraina dhe është vendosur në rajonin e Moskës.
Kur mori një urdhër për një sulm terrorist kundër Moskalik, ai filloi të mblidhte informacione për gjeneralin rus duke u zhvendosur në nëntor 2024 në ndërtesën ku jetonte objektivi i tij.
Në këtë mënyrë, ai ishte në gjendje të monitoronte Moskalikun dhe zakonet e tij në baza ditore duke regjistruar rutinën e përditshme të viktimës, përfshirë këtu edhe kohën e mbërritjes e të largimit nga shtëpia e tij.
Kuzin gjithashtu duket se ka pranuar se e ka blerë makinën tip “Volkswagen Golf”, në të cilën ai ka vendosur tritol e gozhdë të cilat ai i ktheu në bombë.
Më 23 prill, Cousin u fsheh për të realizuar planin e tij dy ditë më vonë, për të cilin dyshohet se iu premtua një shpërblim prej 18,000 dollarësh. Në orën 10:30 të mëngjesit të datës 25 prill, 42-vjeçari dyshohet se ka marrë “dritën jeshile” nga një oficer i SBU, i cili po ndiqte në video aktivizimin e mjetit shpërthyes teksa Moskalik kalonte pranë makinës bombë.
Autoritetet ruse njoftuan se kishin rënë në gjurmët e 42-vjeçarit falë pamjeve të kamerave të sigurisë që e kishin kapur disa herë në zonën ku ndodhi shpërthimi. (A2 Televizion)