Kim Jong Un miraton paktin me Putin, luftanija ruse me raketa bërthamore pranë kanalit anglez

Nga Xhevahir Qardaku
12 Nëntor 2024, 12:23 | Bota

Rusia ka dërguar pranë kanalit Anglez një luftanije e pajisur me raketa hipersonike Zirkon, që janë të aftë për të mbajtur koka bërthamore. Kështu raporton media Ria Novosti në Moskë. Fregata Admiral Golovko e projektit 22350 ka kaluar kanalin për të kryer detyra ushtarake dhe stërvitore në Oqeanin Atlantik.

Gjatë qëndrimit në Kanalin Anglez, sipas asaj që raportojnë mediat, luftanija ka kryer ushtrime antiterror dhe stërvitje për të shmangur objektivë të rrezikshëm. Anëtarët e Flotës së Veriut të Marinës së Rusisë theksojnë se në veçanti, ekuipazhi i fregatës ruse kreu ushtrime për të siguruar mbrojtjen ajrore, mbrojtjen anti-nëndetëse si dhe një seri seancash trajnimi për kryerjen e operacioneve të shpëtimit duke përdorur avionë në kuvertë.

E teksa kjo ndodhte në det, mbi qiellin e Ukrainës fluturonin mbi 110 dronë të llojeve të ndryshme, përfshirë ato komikazë iranianë Shahed. Gjithashtu si pjesë e sulmit masiv u lëshuan nga Rusia dhe disa raketa dhe bomba.

Pavarësisht se luftimet janë intensifikuar, shpresat për paqe nuk janë shuar. Financial Times raporton se presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i interesojnë dy propozime në planin e fitores së liderit ukrainas, Volodymyr Zelenski.

Bëhet fjalë për angazhimin e disa trupave ukrainase në Europë pas përfundimit të luftës dhe pika tjetër ka të bëjë me propozimin për të ndarë burimet natyrore të Ukrainës me partnerët perëndimorë. Kjo vjen në një kohë kur Rusia po përpiqet të fuqizojë aleancat e saj.

Ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, u takua në Pekin me presidentin e këshillit të sigurisë kombëtare të Rusisë, Sergei Shoigu.

Ndërsa Korea e Veriut ka miratuar paktin për mbrojtjen me Rusinë. Kjo konfirmon thellimin e raporteve mes Moskës dhe Penianit dhe sinjalizon një përfshirje më të madhe të shtetit komunist në luftën e Putinit në Ukrainë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos