
Ekzekutimi i të dënuarit me vdekje në Tenesi, Tony Carruthers, është anuluar pasi ekipi mjekësor dështoi të gjente një venë të dytë të përshtatshme për injeksionin vdekjeprurës. Sipas rregullores, gjetja e një damari të dytë, rezervë, është e detyrueshme, transmeton A2. Pas këtij dështimi, Guvernatori Bill Lee vendosi ta shtyjë me një vit ekzekutimin e dënimit për Carruthers.
Carruthers u dënua në vitin 1996 për rrëmbimin dhe vrasjen mizore të tre personave në vitin 1994, të cilët u rrahën, u qëlluan dhe u varrosën të gjallë në një varrezë në Memphis.
Rasti i tij ka nxitur reagime të mëdha kombëtare. Organizata si ACLU dhe personazhe të njohur si Kim Kardashian kanë bërë thirrje të vazhdueshme për pezullimin e ekzekutimit, duke kërkuar testime të ADN-së dhe gjurmëve të gishtave. Sipas avokatëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut, gjyqi i tij ishte i mbushur me gabime, Carruthers u detyrua të përfaqësonte veten pa avokat dhe dëshmitarët kryesorë i kanë tërhequr deklaratat e tyre.
Së fundmi, avokatët dorëzuan edhe një kërkesë për mëshirë, duke argumentuar se ai vuan nga çrregullime të rënda mendore dhe dëmtime në truri, çka ia bën të pamundur të kuptojë ekzekutimin e tij. (A2 Televizion)