Netanyahu drejt fundit? Izraeli në prag zgjedhjesh mes luftës, krizës dhe revoltës politike

Nga Rosalba Bejdo
21 Maj 2026, 23:32 | Bota

Parlamenti i Izraelit miratoi të mërkurën një projektligj për shpërndarjen e vetes, duke hapur mundësinë që zgjedhjet e ardhshme kombëtare të mbahen disa javë më herët. Sipas sondazheve, kryeministri Benjamin Netanyahu rrezikon t’i humbasë ato. Data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar.

Izraeli zhvillon zgjedhje parlamentare çdo katër vite, por zgjedhjet e parakohshme kanë qenë të shpeshta. Zgjedhjet e fundit u mbajtën në nëntor 2022, ndërsa afati maksimal për votimin e ardhshëm është 27 tetori. Komentatorët politikë në Izrael thonë se ato mund të mbahen në gjysmën e parë të shtatorit, por nuk përjashtohet as një votim pranë afatit të tetorit.

Ekspertja e politikës izraelite në Universitetin Hebraik, Gayil Talshir, thotë: “Ky votim është një votim për shpërbërjen e këtij koalicioni dhe të këtij Knesset-i, si dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në fakt, nuk bëhet fjalë për zgjedhje shumë të parakohshme. Data e përcaktuar është 27 tetori, por ultra-ortodoksët dhe partitë opozitare i duan sa më shpejt të jetë e mundur. Me shumë gjasa do të mbahen më 1 shtator. Kjo është kundër vullnetit të Netanyahut, sepse ai dëshironte të përfundonte mandatin e plotë dhe të shkonte në zgjedhje vetëm në fund të tetorit.”

Votimi erdhi pasi një fraksion ultra-ortodoks hebre, tradicionalisht aleat i afërt i Netanyahut, deklaroi këtë muaj se nuk e konsideron më kryeministrin partner dhe do të kërkojë zgjedhje të parakohshme.

Liderët ultra-ortodoksë thanë se vendimi lidhej me faktin që koalicioni i Netanyahut nuk mbajti premtimin për të miratuar një ligj që do të përjashtonte komunitetin e tyre nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Në të njëjtën kohë, opozita prej kohësh ka kërkuar rrëzimin e qeverisë së Netanyahut. Një përpjekje e ngjashme në qershorin e kaluar dështoi, por një sukses tani, edhe nëse zgjedhjet afrohen vetëm disa javë – mund t’i japë hov fushatës opozitare dhe të kufizojë aftësinë e koalicionit për të miratuar ligje të debatueshme deri atëherë.

Për të kontrolluar procesin, vetë koalicioni qeverisës paraqiti më 13 maj projektligjin për shpërndarjen e Knesset-it.

Gayil Talshir: “Ajo që po shohim është një përçarje e brendshme brenda koalicionit, lidhur me ligjin për rekrutimin e hebrenjve Haredi (ultra-ortodoksë), të cilët përjashtohen nga shërbimi ushtarak në ushtrinë izraelite. 79% e votuesve të Likud-it kundërshtojnë këtë përjashtim. Netanyahu po shkon kundër bazës së tij elektorale kur përpiqet t’ua sigurojë ultra-ortodoksëve këtë përjashtim. Dhe duket se kjo nuk do të funksionojë, sepse Netanyahu nuk ka shumicën e nevojshme për ta miratuar këtë ligj. Për pasojë, Izraeli gjendet përballë zgjedhjeve të parakohshme, ndoshta në fillim të shtatorit.

Projektligji kalon tani në komision parlamentar, ku do të vendoset data e zgjedhjeve. Më pas rikthehet për miratim përfundimtar, ku në votimin e tretë kërkohet shumica prej 61 deputetësh nga 120 gjithsej. Procesi mund të përfundojë shpejt ose të zgjasë për javë të tëra.

Më pak se një vit pas rikthimit të tij politik në vitin 2022, në krye të qeverisë më të djathtë në historinë e Izraelit, imazhi i Netanyahut si garant i sigurisë u godit rëndë nga sulmi surprizë i Hamasit më 7 tetor 2023.

Që prej atëherë, sondazhet tregojnë vazhdimisht se koalicioni i tij qeverisës nuk arrin shumicën parlamentare. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që opozita të mos arrijë të formojë një koalicion, duke e lënë Netanyahun në krye të një qeverie të përkohshme deri në zgjidhjen e ngërçit politik.

Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe më parë. Para zgjedhjeve të vitit 2022, Izraeli zhvilloi pesë zgjedhje në më pak se katër vite, pa prodhuar një shumicë të qartë.

Gayil Talshir shprehet se: “Sondazhet tregojnë mbështetje të vazhdueshme për partitë opozitare dhe koalicioni aktual ka rreth 50-52 vende nga 120 gjithsej. Por, duke qenë se opozita përfshin edhe partitë arabe, me të cilat disa liderë opozitarë thonë se nuk do të bashkëpunojnë në koalicionin e ardhshëm, gara në fakt është më e ngushtë sesa sugjerojnë sondazhet. Megjithatë, që prej 7 tetorit, Netanyahu nuk ka shumicë.

Sfida kryesore për Netanyahun vjen nga Naftali Bennett, ish-aleati i tij që e rrëzoi nga pushteti në vitin 2021 dhe u bë vetë kryeministër.

Bennett, i djathtë, është bashkuar me liderin e opozitës së qendrës së majtë Yair Lapid për të krijuar partinë e re “Together”, e cila në sondazhe garon ngushtë me partinë Likud të Netanyahut. Një tjetër emër që po fiton terren është ish-shefi i ushtrisë dhe ministri centrist Gadi Eizenkot.

Të gjithë po fokusohen te votuesit e zhgënjyer nga Netanyahu, me mesazhe për pajtim kombëtar dhe rikthimin e vendit në stabilitet pas traumës së 7 tetorit dhe luftërave në Gaza, Liban dhe Iran, që kanë dëmtuar ekonominë dhe imazhin ndërkombëtar të Izraelit.

Gayil Talshir thotë: “Janë tre kandidatë kryesorë për postin e kryeministrit nga opozita. I pari është Naftali Bennett. Ai ka qenë më parë kryeministër për një periudhë të shkurtër. Fushata e tij tashmë është prezente në media me sloganin ‘Bennett kryeministër’. Kandidati i dytë është Gadi Eisenkot. Ai ishte shef i shtabit të ushtrisë izraelite dhe pjesë e partisë së Benny Gantz-it, që iu bashkua koalicionit të Netanyahut pas masakrës së 7 tetorit. Ai humbi djalin e tij më të vogël në luftë dhe gëzon shumë besim në sytë e izraelitëve. Mund të ketë më pak karizëm, por shumë më tepër besueshmëri. Kandidati i tretë është Avigdor Lieberman. Duket se Lieberman po planifikon të bëjë atë që bëri Bennett herën e kaluar: t’u thotë partive opozitare se, nëse duan të fitojnë koalicionin, duhet ta vendosin atë kryeministër. Këta janë tre kandidatët. Aktualisht duket se Bennett ka shanse më të mira se dy të tjerët, por duke qenë se partia e Gadi Eisenkot po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në sondazhe, kjo mund të ndryshojë.”

Netanyahu vazhdon të përballet me një proces të gjatë gjyqësor për korrupsion. Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, po ndërmjetëson bisedime për një marrëveshje pranimi faji, e cila mund ta çonte Netanyahun drejt tërheqjes nga politika.

Një marrëveshje e tillë është diskutuar prej vitesh, por mbetet e paqartë nëse ai do ta pranonte. Ekspertët rendisin edhe arsyet pse ai dëshiron të qëndrojë në pushtet.

Netanyahu dëshiron të qëndrojë në pushtet. Ai ka tre arsye të forta për këtë. Së pari, bëhet fjalë për trashëgiminë e tij politike. Ai nuk dëshiron që emri i tij të lidhet vetëm me masakrën e 7 tetorit. Ai dëshiron që fitorja kundër Iranit dhe ndoshta rrëzimi i regjimit të ajatollahëve të konsiderohen arritjet e tij kryesore. Prandaj mund të dëshirojë të qëndrojë.

Arsyeja e dytë pse Netanyahu mund të dëshirojë të qëndrojë në pushtet lidhet me normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite. Është shumë e qartë se me këtë koalicion aktual ai nuk mund ta arrijë këtë, sepse normalizimi me sauditët do të sillte edhe perspektivën e një shteti palestinez, gjë me të cilën partnerët e tij aktualë të koalicionit nuk do të pajtoheshin.”

Arsyeja e tretë është shumë më personale. Para së gjithash, Netanyahu vazhdon të jetë në gjyq. Për sa kohë është në gjyq, ai dëshiron të mbetet kryeministër. Është shumë më e lehtë të kontrollosh zhvillimet e përditshme të procesit gjyqësor kur je kryeministër.

Edhe gjendja shëndetësore e Netanyahut mund të bëhet çështje në fushatë. Ai ka bërë të ditur së fundmi se iu nënshtrua me sukses trajtimit për kancer në prostatë, ndërsa në vitin 2023 iu vendos një stimulues kardiak.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon të jetë i përfshirë në luftë me Hamasin në Gaza, me Hezbollahun në Liban dhe me Iranin- fronte që mbeten shumë të tensionuara dhe që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos