Teksa Donald Trump kërcënonte të përdorte ushtrinë amerikane për të aneksuar Groenlandën, zyrtarët dhe diplomatët europianë kanë nisur të pëshpërisin në heshtje një mendim dikur të paimagjinueshëm: si do të ishte të luftohej mbrapsht.
Ndërsa një konfrontim ushtarak mes SHBA-së dhe çdo fuqie tjetër europiane me gjasë do të rezultonte në një prej luftërave më të shkurtra në histori, ka mënyra të tjera që mund t’i ndihmojnë aleatët e Groenlandës të rezistojnë, nëse presidenti amerikan refuzon kompromisin, shkruan Politico.
Një prej levave kryesore të presionit është rrjeti i zgjeruar i aseteve ushtarake amerikane në rajon, të cilat SHBA i përdor për të mbrojtur fuqinë amerikane larg shtëpisë, në Afrikë dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme. Përse do të duhej që SHBA të vijonte të kishte akses në këto baza ose të siguronte mbështetje nga asetet detare, ato ajrore e madje edhe shërbimet e inteligjencës së aleatëve, nëse përpiqet të marrë një territor sovran nga një shtet anëtar i NATO-s?
Pyetja është aq sensitive, sa diplomatët po përpiqen ta mbajnë larg debateve mes qeverive në sallat e samiteve të BE-së dhe NATO-s. Por pesë zyrtarë dhe diplomatë konfirmuan për Politico se kundërpërgjigjja e mundshme ndaj Trump po diskutohet privatisht në mbarë kontinentin.
Përpos aseteve ushtarake europiane, SHBA mbështetet gjithashtu tek Europa si partner kyç tregtar dhe qeveritë europiane shpenzojnë miliarda dollarë çdo vit për të blerë armë amerikane. Të gjitha këto ofrojnë një levë të mundshme, nëse klientët europianë vendosin të ndalojnë blerjet në SHBA, shkruan A2 CNN.
Rreziku i madh i një lëvizjeje të tillë, sipas zyrtarëve, do të ishte përshkallëzimi i shpejtë i marrëdhënieve transoqeanike drejt një prishjeje të plotë. Të tjerë pretendojnë se aleanca po bëhet gjithmonë e më toksike nën udhëheqjen e Trump dhe se Europa duhet të lëvizë.
Deklarata më e afërt me një paralajmërim për kundërpërgjigjie ishte ajo e bërë nga presidenti francez Emmanuel Macron: “Nëse sovraniteti i një shteti europian dhe aleat minohet, efektet do të ishin të paprecedenta. Franca po e ndjek situatën me vëmendjen më të madhe dhe do të veprojë në solidaritet të plotë me Danimarkën”, ishin fjalët e Macron.
Sipas diplomatëve të cituar nga Politico, mes mënyrave të tjera që po diskutohen në kryeqytetet europiane për të penguar Trump janë taktika për të vonuar vendimet, përpjekje lobuese mes republikanëve në Uashington, dërgimi i trupave aleate për të vizituar Groenlandën dhe madje edhe një fushatë publike në Amerikë. Megjithatë, ka edhe sugjerime më radikale, si ajo për të marrë kontrollin e bazave amerikane. (A2 Televizion)