
Gjenerali Hossein Salami, komandanti i Forcave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), është vrarë gjatë sulmeve të natës të ndërmarra nga Izraeli, raportojnë disa media shtetërore iraniane, shkruan A2 CNN.
Njoftimi erdhi pasi Izraeli nisi të sulmojë programin bërthamor të Iranit dhe kapacitetet e raketave balistike.
Çfarë po ndodh tani?
Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit
Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj Iranit herët në mëngjesin e së premtes, me objektiv programin bërthamor dhe aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi, sipas një zyrtari ushtarak izraelit. “Ky nuk është një sulm njëditor,” deklaroi një burim ushtarak për CNN, duke theksuar se operacioni do të vazhdojë.
Dhjetëra objektiva
Sulmet përshkruhen si një ofensivë “parandaluese, e saktë dhe e koordinuar” që ka goditur “dhjetëra objektiva” në të gjithë Iranin.
Qëndrimi i SHBA-së
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira në këto sulme. “Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulmet ndaj Iranit dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon,” tha Rubio në një deklaratë për mediat. (A2 Televizion)