Komisioneri Europian për Energjinë: Çmimet e energjisë do të mbeten të larta për një kohë shumë të gjatë

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 08:56 | Bota

Komisioneri Europian për Energjinë: Çmimet e energjisë do

Bashkimi Europian po vlerëson “të gjitha mundësitë”, përfshirë edhe racionimin e karburantit dhe lirimin e mëtejshëm të naftës nga rezervat emergjente, ndërsa përgatitet për një goditje të zgjatur energjetike si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, raportoi Financial Times.

Në një intervistë, Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, paralajmëroi se situata nuk do të jetë e përkohshme.
“Kjo do të jetë një krizë e gjatë, çmimet e energjisë do të mbeten të larta për një kohë shumë të gjatë,” tha ai, duke shtuar se për disa produkte kritike pritet që situata të përkeqësohet edhe më shumë në javët në vijim.

Sipas zyrtarëve europianë, tensionet në Lindjen e Mesme kanë rritur pasigurinë në tregjet globale të energjisë, duke ushtruar presion mbi furnizimet me naftë dhe gaz. Si rezultat, vendet anëtare të BE-së po shqyrtojnë skenarë të ndryshëm për të garantuar sigurinë energjetike, përfshirë koordinimin e rezervave strategjike dhe masa të përkohshme për uljen e konsumit, përcjell A2CNN.

Ekspertët paralajmërojnë se një krizë e tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt te konsumatorët dhe bizneset, me rritje të kostove të jetesës dhe presion mbi ekonominë. Ndërkohë, BE pritet të intensifikojë përpjekjet për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe përshpejtimin e tranzicionit drejt energjive të rinovueshme, si një mënyrë për të reduktuar varësinë nga tregjet e paqëndrueshme globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos