
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka përgënjeshtruar pretendimet se godina historike e Teatrit të Kukullave në Tiranë do të ndryshojë destinacion dhe do të shndërrohet në një qendër kulturore hebraike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja i cilëson këto pretendime si të pavërteta. Gonxhja thekson se Teatri i Kukullave do të vijojë të ruajë funksionin dhe identitetin e tij, duke mbetur një nga qendrat më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në kryeqytet.
“E PAVËRTETË! Teatri i Kukullave nuk do të shndërrohet në asnjë funksion tjetër, nuk do të ndryshojë destinacion dhe as nuk do të bëhet një qendër kulturore hebraike!”, shkruan ministri.
“Jo se qendrat e kulturave të tjera janë herezi, aspak, por se është e gabuar të përdoret një realitet kaq simbolik duke e përshkruar si të zëvendësueshëm nga diçka që për shkak të aktualitetit do krijonte një ngarkesë të re që të ushqente fantazi e paranoja absurde. E vërteta është se Teatri i Kukullave vijon të jetë një nga qendrat më të dashura kulturore për fëmijët dhe familjet në Tiranë”, vijon ai. (A2 Televizion)