Komisioni Europian: Deri në 1.3 milionë vende pune në BE rrezikohen nga lufta në Lindjen e Mesme

Nga A2 CNN
3 Qershor 2026, 16:58 | Bota

Komisioni Europian: Deri në 1.3 milionë vende pune në BE

Deri në 1.3 milionë vende pune në Bashkimin Europian mund të rrezikohen si pasojë e luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Paralajmërimi u bë nga Komisionerja Europiane për Punësimin, Roxana Mînzatu, gjatë prezantimit të Paketës së Semestrit të Pranverës 2026.

Sipas Mînzatu, sektorët më të prekur janë industritë me konsum të lartë energjie, të cilat po përballen me kostot në rritje të energjisë si pasojë e konfliktit.

“Për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, deri në 1.3 milionë vende pune janë në rrezik, veçanërisht në industritë që kërkojnë shumë energji”, deklaroi ajo në një konferencë për shtyp.

Komisionerja theksoi gjithashtu se rritja e çmimeve të energjisë po ndikon veçanërisht te familjet me të ardhura të ulëta, duke u bërë thirrje shteteve anëtare të ndërmarrin masa të synuara për mbështetjen e grupeve më të cenueshme.

Konflikti, i cili nisi pas sulmeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit në fund të muajit shkurt, ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë europiane. Sipas parashikimeve ekonomike të publikuara nga Komisioni Europian në muajin maj, lufta ka ngadalësuar ritmin e rritjes ekonomike dhe ka ushtruar presion mbi inflacionin në vendet e BE-së.

Paketa e Semestrit Europian 2026 i kushton një rëndësi të veçantë tregut të punës, duke u fokusuar në krijimin e vendeve cilësore të punës dhe adresimin e mungesës së fuqisë së kualifikuar punëtore në sektorë strategjikë.

Komisioni Europian vlerëson se përmirësimi i sistemit arsimor dhe përshtatja më e mirë e aftësive të qytetarëve me kërkesat e tregut të punës mbeten prioritete kyçe, veçanërisht në fusha si siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, teknologjitë kuantike dhe industria e gjysmëpërçuesve.

Gjatë prezantimit të raportit, Mînzatu bëri të ditur se 77% e kompanive europiane raportojnë mungesën e personelit të kualifikuar si një pengesë serioze për investimet. Sipas saj, kushtet jo të favorshme të punës janë ndër arsyet kryesore që vështirësojnë tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve.

“Ne nuk mund të tërheqim talente, nuk mund të zvogëlojmë mungesat dhe nuk mund të rrisim të ardhurat e njerëzve pa garantuar kushte të mira pune”, u shpreh komisionerja.

Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e konkurrueshmërisë europiane, Komisioni synon gjithashtu reduktimin e barrierave në tregun e përbashkët, krijimin e një mjedisi më miqësor për biznesin dhe uljen e varësive strategjike nga ekonomitë e mëdha si Kina dhe SHBA-ja.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos