Zjarr i përmasave të mëdha në Nju Delhi, mbi 21 viktima

Nga A2 CNN
3 Qershor 2026, 11:35 | Bota

Zjarr i përmasave të mëdha në Nju Delhi, mbi 21 viktima

Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar të paktën 21 viktima dhe mbi 40 të plagosur në një ndërtesë në lagjen Malviya Nagar të Nju Delhit, në Indi.

Ndërtesa kishte një restorant në katin përdhes dhe një hotel me fjetje dhe mëngjes në katet e sipërme.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të zjarrit, por sipas informacioneve paraprake dyshohet se flakët kanë nisur në ambientet e bujtinës.

Alarmi u dha menjëherë, ndërsa tymi u përhap me shpejtësi në të gjithë godinën. Në vendngjarje ndërhynë tetë mjete zjarrfikëse, të cilat punuan për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shpëtuar personat e bllokuar brenda.

Zjarr i përmasave të mëdha në Nju Delhi, mbi 21 viktima

Autoritetet bëjnë me dije se më shumë se 40 persona u nxorën nga ndërtesa dhe u transportuan në spitalet e zonës për të marrë ndihmë mjekësore. Operacioni i shpëtimit u vështirësua nga tymi i dendur dhe qasja e kufizuar në disa pjesë të godinës.

Gjatë ndërhyrjes, ekipet e emergjencës gjetën edhe trupat e viktimave mes ambienteve të shkatërruara nga flakët. Zjarri tashmë është shuar plotësisht, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve vijojnë.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njoftoi mbështetje financiare për të afërmit e personave që humbën jetën në këtë tragjedi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos