Ditën e sotme Koreja e Jugut është përfshirë nga protesta të shumta, të cilat kanë detyruar Presidentin që të shpallë ligjin e përgjithshëm ushtarak.
Protestat janë organizuar para Parlamentit të vendit, i cili ka ndërprerë edhe punimet. Po ashtu rreth Parlamentit janë vendosur forca të shumta ushtarake, shkruan A2 CNN.
Por çfarë po ndodh realisht atje? Nga kush po kërcënohet vendi? Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në një fjalim të paparalajmëruar dhe të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, ka pretenduar se ai do të zhdukte "forcat anti-shtetërore pro-koreane të Veriut".
"Po shpall ligjin ushtarak për të mbrojtur Republikën e lirë të Koresë nga kërcënimi i forcave komuniste të Koresë së Veriut, për të zhdukur forcat e neveritshme antishtetërore pro-koreane që po plaçkitin lirinë dhe lumturinë e popullit tonë dhe për të mbrojtur kushtetutën", tha Yoon Suk Yeol, President i Koresë së Jugut.
Yoon nuk tha se çfarë masash specifike do të merreshin. Ai përmendi një mocion nga Partia Demokratike e opozitës, e cila ka shumicën në parlament, për të fajësuar prokurorët e lartë duke refuzuar propozimin e buxhetit të qeverisë.
Yoon i etiketoi veprimet e opozitës si "sjellje të qarta antishtetërore që synojnë nxitjen e rebelimit". Ai më tej pretendoi se këto akte kanë “paralizuar punët e shtetit dhe e kanë kthyer Asamblenë Kombëtare në një strofkë kriminelësh”.
“Përmes këtij ligji ushtarak, unë do të rindërtoj dhe mbroj Republikën e lirë të Koresë, e cila po bie në humnerën e rrënimit kombëtar të atyre që kryejnë aktivitete të mbrapshta”, tha Yoon Suk Yeol, President i Koresë së Jugut.
Opozita kryesore e Koresë së Jugut, Partia Demokratike, u ka bërë thirrje të gjithë ligjvënësve të saj që të mblidhen në Asamblenë Kombëtare, organi legjislativ i vendit, raporton agjencia e lajmeve e Koresë së Jugut Yonhap.
Udhëheqësi i saj, Lee Jae-myung, i ka bërë thirrje publikut të mblidhet në Asamble, vijon më tej raportimi.
Lideri i Partisë së Pushtetit Popullor, Han Dong-hoon e ka quajtur shpalljen e ligjit ushtarak një veprim "të gabuar" dhe është zotuar ta bllokojë atë.
(Kujtojmë se presidenti Yoon - i cili shpalli gjendjen ushtarake - është gjithashtu anëtar i PPP).
Kujtojmë se tensionet mes dy shteteve, Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut kanë qenë të herëpashershme. Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për ta mbrojtur atë kundër Veriut, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)