Kremlini ka reaguar për mundësinë e heqjes së sanksioneve nga SHBA ndaj Moskës, pas normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas mediave të huaja, i pyetur në lidhje me një raport të Reuters se SHBA po harton një plan për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë, zëdhënësi Dmitry Peskov tha se çdo normalizim i marrëdhënieve me SHBA-në do të kërkonte heqjen e sanksioneve dhe përsëriti qëndrimin e Moskës se sanksionet kundër saj janë të paligjshme.
Kujtojmë se që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, SHBA-ja ka lëshuar sanksione që synojnë të ardhurat nga industria. Po ashtu janë vendosur sanksione ndaj naftës dhe gazit të Moskës në një përpjekje për të dobësuar aftësinë e saj për të financuar luftën, shkruan A2 CNN.
Në janar, Trump kërcënoi se do të shtonte sanksionet ndaj Rusisë nëse Vladimir Putin nuk do të ishte i gatshëm të negocionte për t'i dhënë fund luftës, por zyrtarët e tij kohët e fundit kanë diskutuar hapur mundësinë e lehtësimit të sanksioneve ndaj Moskës. (A2 Televizion)