
Një rast i ndërlikuar mjekësor dhe ligjor ka ndodhur ditët e fundit në Poliklinikën Umberto I në Romë, ku një grua rreth 40 vjeçe, Dëshmitare e Jehovait, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente me transfuzion gjaku, pavarësisht refuzimit të saj të shprehur për arsye fetare.
Gruaja ishte shtruar në spital në gjendje emergjente për shkak të komplikacioneve nga një bajpas gastrik. Ajo kishte deklaruar qartë se nuk pranonte transfuzion gjaku, duke iu referuar bindjeve të saj fetare. Megjithatë, kirurgu, pasi u konsultua edhe me prokurorin në detyrë dhe duke qenë përballë rrezikut të menjëhershëm për jetën, vendosi të ndërhyjë dhe të kryejë transfuzionin. Operacioni rezultoi i suksesshëm dhe jeta e pacientes u shpëtua.
Sipas jurisprudencës italiane, refuzimi i ndërgjegjshëm dhe i informuar i një trajtimi mjekësor, përfshirë transfuzionin e gjakut nga Dëshmitarët e Jehovait, është i mbrojtur nga ligji si shprehje e lirisë fetare dhe e vetëvendosjes terapeutike. Nëse refuzimi është formalizuar me shkrim, mjekët janë të detyruar ta respektojnë atë.
Tani, nëse pacientja paraqet një ankesë, kirurgu mund të përballet me hetim penal. Çështja mbetet e hapur dhe do të varet nga dokumentacioni ligjor dhe deklaratat e pacientes.
(A2 Televizion)