
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se vetëm Groenlanda dhe Danimarka kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e Groenlandës. Reagimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump përsëriti se SHBA “ka nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”, duke ringjallur idenë e aneksimit të territorit gjysmë-autonom danez, shkruan A2 CNN.
Ideja është hedhur poshtë me forcë nga autoritetet daneze dhe groenlandeze. Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, tha “mjaft tani”, duke e quajtur kontrollin amerikan një fantazi. Ndërsa kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, theksoi se SHBA “nuk ka të drejtë të aneksojë asnjë pjesë të mbretërisë daneze”.
I pyetur nëse do t’i thoshte Trump “larg duart nga Groenlanda”, Starmer u përgjigj prerë “po”, duke nënvizuar se Danimarka është aleate e ngushtë e NATO-s dhe se vendimi u përket vetëm Kopenhagenit dhe Nuuk-ut, raporton A2 CNN.
Ndërkohë, ai u shpreh më i rezervuar për veprimet e fundit të SHBA-së në Venezuelë, duke kërkuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe një tranzicion paqësor drejt demokracisë. (A2 Televizion)