Dy astronautë të Nasa-s "të bllokuar" në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) që nga vera e kaluar, më në fund janë në rrugën e tyre për t'u kthyer në Tokë të martën në mbrëmje.
Anija Crew Dragon Freedom është shkëputur nga Stacioni Hapësinor për të filluar udhëtimin e saj drejt Tokës.
Në bord janë astronautët e NASA-s Suni Williams dhe Butch Wilmore, të cilët mbërritën në ISS në qershor 2024 në bordin e Starliner të Boeing dhe u bllokuan për 9 muaj për shkak të problemeve teknike me anijen.
Me ta ishin komandanti Nick Hague i NASA-s dhe Alexander Gorbunov i agjencisë ruse të hapësirës Roscosmos.
Mbërritja e planifikuar për në orën 22:57 me orën tonë në brigjet e Floridës, do të shënojë përfundimin e misionit Crew 9, i cili filloi në shtator me dy astronautë për të lejuar kthimin e Williams dhe Wilmore. (A2 Televizion)