Ahmed al-Sharaa, komandanti që udhëhoqi degën siriane të Al-Kaedës gjatë luftës civile, ishte një figurë misterioze që rrallë shfaqej në publik, edhe kur grupi i tij u bë fraksioni më i fuqishëm që luftonte për rrëzimin e Bashar al-Assadit.
Në vitin 2016, ai u shkëput nga Al Kaeda, e ribrandoi grupin e tij dhe gradualisht u bë fytyra më e njohur e rebelëve sirianë, shkruan A2.
“Kjo fitore, vëllezër të mi, është një kapitull i ri në historinë e gjithë kombit islamik. Ai ia dorëzoi Sirinë ambicieve iraniane, duke përhapur sektarizëm dhe korrupsion”, tha Al Sharaa.
Vetëm pesë muaj më vonë, më 14 maj 2025, ndodhi ajo që dikur dukej e pamundur. Presidenti amerikan Donald Trump takoi Ahmed Al Sharaan në Riad, pas vendimit të papritur të SHBA për të hequr të gjitha sanksionet ndaj qeverisë së re islamike në Damask.
“Në Siri, pas gjithë vuajtjeve dhe vdekjes, ka një qeveri të re që shpresojmë të sjellë stabilitet dhe paqe. Administrata ime ka ndërmarrë hapat e parë për të rivendosur marrëdhënie normale me Sirinë, për herë të parë pas më shumë se një dekade”, theksoi Donald Trump.
Për Trump, vendimi u justifikua me nevojën për stabilitet. Për Sharaan, ai ishte një akt guximi historik: “Presidenti Trump, falënderimi i takon atij, iu përgjigj kësaj dashurie. Vendimi për heqjen e sanksioneve ishte historik dhe i guximshëm. Ai lehtësoi vuajtjet e popullit dhe hapi rrugën për stabilitetin në rajon”.
Në shtator të po atij viti, Sharaa u shfaq për herë të parë në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vizita e parë e një lideri sirian në gati gjashtë dekada. Në krah të tij ishte Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ndërsa në një forum paralel ai u intervistua nga gjenerali David Petraeus, ish-komandanti i forcave amerikane në Irak, dikur armik në fushëbetejë.
“Ne ishim në anë të kundërta kur unë komandoja në Irak… ju u mbajtët i burgosur nga forcat amerikane për pesë vjet. Dhe ja ku jeni sot, si president i Sirisë”, tha Petraeus.
“Dikur ishim në një fushë beteje, sot jemi në fushën e dialogut. Ata që kanë përjetuar luftën, e kuptojnë më mirë se kushdo rëndësinë e paqes”, theksoi Al Sharaa.
Në fillim të këtij nëntori, ministri i Jashtëm sirian konfirmoi atë që shumë e quanin të paimagjinueshme; një vizitë zyrtare të Ahmed al-Sharas në Shtëpinë e Bardhë: “Vizita e Presidentit Ahmed al-Sharaa në Uashington është historike, ndoshta e para në 70 apo 80 vjet. Synojmë të hapim një kapitull të ri mes Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Nga një komandant i shpallur terrorist, te një President që pret të pritet nga lideri i botës së lirë, historia e Ahmed al-Sharaas është pasqyrë e transformimeve dramatike në Lindjen e Mesme.
Tani, ndërsa Damasku dhe Uashingtoni afrohen për herë të parë pas dekadash armiqësie, bota pret të shohë nëse ky afrim do të sjellë paqe… apo vetëm një kapitull tjetër të paparashikueshëm në sagën siriane. (A2 Televizion)
