
Presidenti i Kamerunit, Paul Biya, 93 vjeç, ndodhet prej më shumë se dy muajsh jashtë vendit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe mënyrën se si po qeveriset vendi në mungesë të tij.
Biya u largua nga Kameruni më 7 qershor, për atë që zyra e tij e cilësoi si një “qëndrim të shkurtër personal në Europë”. Por, dy muaj më vonë, ai ende nuk është kthyer në vend. Javën e kaluar, zëdhënësi i qeverisë, René Emmanuel Sadi, deklaroi për radion franceze RFI se presidenti ndodhet në Gjenevë të Zvicrës dhe nuk është i shtruar në spital. Ai nuk dha detaje të tjera për arsyen e qëndrimit të gjatë jashtë vendit, përcjell A2 CNN.
Paul Biya është në pushtet që prej vitit 1982 dhe është një prej liderëve më jetëgjatë në botë. Vitin e kaluar ai fitoi një mandat të tetë presidencial, në një proces zgjedhor të kontestuar nga opozita dhe i shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.

Mungesat e gjata të presidentit jashtë Kamerunit nuk janë lajm i ri. Megjithatë, kjo është një prej periudhave më të gjata të pandërprera që ai ka kaluar jashtë vendit. Për vite me radhë, shëndeti dhe vendndodhja e tij kanë qenë objekt spekulimesh, ndërsa në vitin 2024 qeveria ndaloi diskutimet mediatike mbi gjendjen e tij shëndetësore, duke i konsideruar ato çështje të sigurisë kombëtare.
Pavarësisht mungesës, Biya vijon të marrë vendime presidenciale nga jashtë vendit. Në fillim të këtij muaji ai miratoi edhe një ristrukturim të rëndësishëm në ushtri.
Kritikët e tij, megjithatë, ngrenë pikëpyetje për funksionimin e institucioneve dhe drejtimin e vendit. Kameruni përballet me probleme të theksuara ekonomike, korrupsion, papunësi, ndërprerje të energjisë dhe mungesë të infrastrukturës. Vijon gjithashtu kriza separatiste në rajonet anglishtfolëse dhe kërcënimi i Boko Haram në veri.
Zëdhënësi i qeverisë ka mohuar çdo vakum pushteti, duke deklaruar se “Presidenti Paul Biya është gjallë” dhe se “do të kthehet së shpejti”.
Për një brez të tërë kamerunasish, Biya është i vetmi president që kanë njohur. Pas më shumë se katër dekadash në pushtet, mungesa e tij e zgjatur ka rikthyer pyetjen se kur dhe si do të vijë ndryshimi në drejtimin e vendit. (A2 Televizion)